Balla: Berisha u shet armë diktatorëve

14/04/2013 00:00

Deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla akuzoi kryeministrin Berisha dhe Ministrin e Mbrojtjes se u ka shitur armë diktatorëve dhe ka shndërruar Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë në një supermarket.

Zoti Balla iu referua publikimit të një raporti të OKB-së ku hetohet qeveria shqiptare për trafik armësh dhe shkelje të embargos ndërkombëtare të vendosur ndaj Libisë gjatë konfliktit civil që përfshiu vendin afrikano-verior për rrëzimin e Muamar Gadafit.

Në raportin e OKB, të publikuar pak ditë më parë nga Top Channel përshkruhet edhe linja e trafikut të armëve dhe kompanive të përfshira në të. Nisur nga ky raport, deputeti Braçe akuzoi qeverinë shqiptare se ka tradhëtuar NATO-n duke i shitur armë Gadafit.

Por Ministria e Mbrojtjes reagoi duke deklaruar se vendi ynë nuk ka shkelur asnjë embargo dhe se armët drejt Libisë ishin për rebelët e jo për forcat e regjimit.

Deputeti socialist denoncoi gjithashtu abuzimet, që sipas tij, janë bërë e po bëhen me pronat e ushtrisë shqiptare. Ministri Imami, tha Balla, po shet me cmime qesharake pronat e ushtrisë nëpër reparte e zona të tjera.

Balla u ndal edhe tek statusi i ushtarakëve që sipas tij mbeti vetëm një premtim elektoral që është lënë në harresë nga qeveria, ndërsa risillet në qendër të vëmendjes sa herë që ka fushatë elektorale.

Top Channel