Nishani: Shqipëria, faktor për paqen në rajon

10/04/2013 00:00

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, i shoqëruar nga Zonja e Parë,
Odeta Nishani dhe anëtarë të Kabinetit ndodhet në Turqi, në kuadër të
Samitit të 16-të Euroaziatik të Ekonomisë, i cili po mbahet në qytetin e
Stambollit në datat 9-11 prill.

Në këtë samit marrin pjesë presidentë, kryeministra, ish-presidentë, ministra, diplomatë, deputetë e zyrtarë të nivelit të lartë, nga vende të ndryshme të rajonit të Euroazisë.

Në çelje të samitit, Presidenti Nishani mbajti një fjalë përshëndetëse ku theksoi ndër të tjera se Shqipëria mbetet një faktor gjeopolitik thelbësor për paqen dhe sigurinë në rajonin e Ballkanit dhe më gjerë.

Kreu i Shtetit theksoi se Shqipëria mbetet partizane e forcimit të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, dialogut e bashkëpunimit rajonal dhe integrimit në Bashkimin Evropian.

Presidenti Nishani u shpreh se pavarësia e Kosovës u provua si një faktor stabiliteti në rajon, ndërsa tha se njohja sa më shpejt e Kosovës nga vendet që nuk e kanë njohur dhe integrimi euroatlantik i saj janë kontribut për sigurinë në rajon e më gjerë.

Sipas Kreut të Shtetit angazhimi i përbashkët i vendeve të rajonit dhe Euroazisë do t`i shërbejë rritjes së potencialit ekonomik dhe ndryshimit të imazhit të rajonit, për ta bërë atë një treg të dukshëm, tërheqës dhe konkurrues për investitorët e huaj nga e gjithë bota.

Top Channel