“Tri mendje në ankand”

09/04/2013 20:10

Shfaqja më e re e cila do të ketë premierën e saj në Teatrin e Metropolit, në datën 12 prill, titullohet” Tri mendje në ankand’.

Ajo vazhdon traditën e këtij institucioni këtë sezon për të favorizuar vënien në skenë të pjesëve nga autorë shqiptarë. E shkruar nga Ferdinand Hysi në vitin 1993, vepra që në atë kohë u quajt një komedi satirike, ka korrur sukses në disa konkurse kombëtare e ndërkombëtare dhe është vlerësuar në atë kohë edhe me çmimin e parë në konkursin e dramës shqipe.

“Kjo shfaqje vjen përsëri për publikun me ndryshime pas gjithë këtyre viteve. Është një komedi e zezë, me dhimbje dhe të qeshura”, shprehet Ferdinand Hysi.

Ngjarja ndodh e gjitha brenda mureve të një spitali psikiatrik, ku tre të sëmurët kanë vetëm një shqetësim i cili mbush ditët e tyre: si të mbyllin vrimat e kësaj ndërtese, e cila pikon nga të gjitha anët.

Tre pacientët e interpretuar nga Devis Muka, Klodian Hoxha dhe Alban Musa, së bashku me Elona Hysenin në rolin e një të sëmure memece e cila personifikon popullin dhe Doriana Caushin si infermierja, krijojnë një situatë sa komike aq edhe të dhimbshme, e cila në thelb ka realitetin.

Regjisorja Elma Doresi thotë: “Shfaqja ofrohet me anë të simbolit. Është një iluzion që krijohet nga fillimi në fund dhe përmbys këtë spital duke sjellë mesazhin e shfaqjes.”

Top Channel