Vetëm pak kilometra larg Tiranës, në Kamëz qyteza e shndërruar në
‘Eldoradon shqiptare’ për mijëra qytetarë që lanë zonat e thella veriore
të vendit për një jetë më të mirë, gjatë një takimi me Edi Ramën ata
kanë shprehur zhgënjimin ndaj Partisë Demokratike duke vendosur t’i
bashkohen alternativës së majtë.

“Nuk jemi ne që kemi tradhtuar PD-në, nuk jemi ne që kemi tradhtuar Sali Berishën, janë ata që na kanë tradhtuar ne. Ata duhet të ndihen fajtorë për këtë dhe nuk është aspak faji jonë për këtë. Ndaj nuk duhet të ndiejmë asnjë pendim që në 23 qershor do të votojmë të ardhmen, do të votojmë Rilindjen, do të votojmë Edi Ramën”, thotë Rahman Sokoli.   

 “Jam këtu për të deklaruar shkëputjen përfundimtare nga Partia Demokratike. Idealet e mia për të cilat vuajtën, u persekutuan dhe u masakruan të parët e mi janë nëpërkëmbur keq nga administrata e korruptuar e instaluar në qeverisjen e PD-së”, thotë nënkryetar i kësaj i Partisë Demokratike në Kamëz, Arjan Zefi.
 
Edi Rama e vuri theksin gjatë fjalës së tij tek problematika e legalizimeve që ndeshen qyetaët e Kamzës.

“Vota e 23 qershorit do të jetë një votë për t’u dhënë mundësi të gjitha familjeve që jetojnë në shtëpi të ndërtuara me gjakun dhe sakrificat e tyre dhe që sot e gjithë ditën nuk i gëzojnë dot si pronë të tyre, që nën kujdesin e qeverisë tonë dhe nën kujdesin tim personal të marrin atë që për 20 vjet nuk e kanë marrë dot: Legalizimin e shtëpive të tyre. Por jo vetëm legalizimin, por edhe një transformim që t’i kthejë këto zona në pjesë të integruara të qytetit.  Të gjithë ata që e kanë parë si njeriun e tyre Saliun dhe që e kanë parë si partinë e tyre PD-në, sot nuk duhet të kishte një shtëpi të palegalizuar, ndërkohë që 95% të shtëpive janë sot e gjithë ditën të palegalizuara dhe ato që janë legalizuar ju e dini mirë si janë legalizuar, duke pagura mbi dorë e nën dorë dhe duke mbetur pastaj te dyert e hipotekave që thonë, mirë letrat e legalizimit i ke marrë po ke dhe ca probleme të tjera”, thotë Rama.
 
Nga 250 mijë ndërtime pa leje që kishte Shqipëria, tha Rama tani kjo shifër ka shkuar  në 400 mijë ndërtime pa leje dhe as 5%  e tyre nuk janë legalizuar. Sipas Edi Ramës nëse Berisha do të vijojë të qëndrojë si Kryeminisër, atëherë do të  duhen 160 vjet për t’i legalizuar.

PS prezanton programin në Korçë

PS prezantoi në Korçë programin qeverisës për mjedisin, sportin, kukturën dhe trashëgiminë kulturore. Edi Rama e quajti këtë prezantim jo thjesht një instrument për të marrë votën, por një instrument që do të sjellë ndryshimin.

Duke u ndalur në çështjet e mjedisit, Rama tha se poltizimi i administratës që merret me mbrojtjen e pyjeve ka shkaktuar një situatë më shumë se alarmante.

“Jemi shumë të vetëdijshëm se situata është më shumë se alarmante dhe ne duam të angazhohemi me një betim solemn, që të fillojmë pas 23 qershorit një aksion të pandalshëm për të mbjellë në territorin e Shqipërisë 1 milionë pemë”, deklaroi Rama.

Sipas Edi Ramës, sporti ndodhet po ashtu në një gjëndje mjerane dhe faji për këtë është politizimi dhe keqmenaxhimi i talenteve, siç ishte rasti i mundësit Elis Guri, i cili u braktis dhe më pas u shpall kampion bote duke ngritur flamurin bullgar.

“Jemi të vetëdijshëm që një lek i investuar në sport ësht një lek i kursyer në shëndetësi. Duam të sigurojmë një federatë, të krijojmë kushte për sportin. Me programin që kemi ne do bëjmë më shumë punë në sport dhe gjithë sektorët e tij. Do krijojmë një politikë stimuluese për të pasur burime dytësore për sportin dhe jo vetëm buxhetin e shtetit”, tha Rama.

Më tej Rama premtoi frenimin e një pushtimi të dytë, kësaj here nga shqiptaët të Krujës, siç e quati ai atë që po ndodh me këtë qytet nga punishtet e gëlqeres, kur foli për problematikën e trashëgimisë.

Top Channel