“Historia e një kënge”

08/04/2013 23:50

Kur u vu në skenë për herë të parë, në vitin 1971, “Historia e një kënge” doli jashtë kornizave të kohës, gjë e cila, më pas, penalizoi edhe disa nga artistët, që e krijuan atë.

Këtë radhë vjen në Teatrin e Operas dhe Baletit, duke filluar nga data 11 prill, sipas një ideje të Zhani Cikos, që në atë kohë ka qenë edhe drejtor artistik i saj.

Libreti është ripunuar nga Enada Hoxha, mbi atë origjinal të maestros së shquar Agron Aliaj.

“Historia e një kënge mund të konsiderohet si tentativa e parë, për të bërë një ‘musical’ në skenën shqiptare, për të sjellë jetën e rinisë në një kohë, kur arti koreografik dhe ai skenik ishte fokusuar vetëm te lartësimi i karakterit kombëtar, nëpërmjet figurës popullore. Këtu kemi të bëjmë me një ritrajtim, por nuk ka të bëjë me prishje të pjesëve muzikore, të cilat janë jashtëzakonisht të bukura dhe qëndrojnë edhe sot. Kjo do të vijë si një histori brenda historisë së teatrit, ku pasqyrohet edhe historia e ngjarjeve të Shqipërisë së atyre viteve”, u shpreh Zhani Ciko, drejtor i TKOB.

Vepra vjen për publikun me pjesëmarrjen e solistes Vikena Kamenica.

“Është bukur të risjellësh një vepër kaq të fortë, dhe me një frymë kaq të re, sic ka qenë ‘Historia e një kënge’ e Nikolla Zoraqit. Jam shumë e kënaqur, që jam pjesë e këtij projekti”, tha Vikena Kamenica, soliste.

Në qendër të veprës është dashuria e dy të rinjve, në një kohë kur, njerëzit filluan të kishin iluzione për një hapje dhe mundësi jashtë skematizmave të kohës.

Baleti muzikal do të drejtohet nga Enada Hoxha dhe Gerd Vaso. Vepra, ku performojnë si solistë edhe Dion Gjinika, Ledia Sula e Eltion Merja, vjen në vitin e festimit të 60-vjetorit të Teatrit të Operas dhe Baletit dhe nderon kujtimin e koreografit Agron Aliaj, autor i libretit origjinal.

Top Channel