FRD, më 30 prill vendos listën dhe aleancat

08/04/2013 00:00

Fryma e Re Demokratike pritet të mbledhë kuvendin e saj paraelektoral më datë 30 prill për t’i dhënë dorën e fundit zyrtarizimit të listës së kandidatëve për deputetë, por edhe shpalljes së koalicionit paraelektoral për këtë parti politike.

“Detyrimi që emrat e propozuar të mos kenë qenë të dënuar me një vendim të formës së prerë nga gjykata, apo një vepër penale, detyrimin që emrat e propozuar të mos kenë qenë të punësuar në organet e sigurimit të shtetit dhe të mos jenë deklaruar si bashkëpunëtorë të këtij organi gjatë kohës së komunizmit. Detyrimin që të mos kenë qenë të përfshirë në hetime apo gjyqe politike gjatë kohës së diktaturës, qoftë në pozita vendimmarrëse qoftë edhe si ekspertë, detyrimin që të mos ketë lidhje familjare të shkallës së parë me kryetarin, nënkryetarin dhe sekretarin e përgjithshëm të Frymës së Re Demokratike në qendër, kriter që vlen edhe në rastet e degëve të FRD-së në rrethe. Lista e kandidatëve që grupi ynë politik do të paraqesë para qytetarëve në zgjedhjet e 23 qershorit do të jetë një listë dinjitoze”, tha Sekretari i Përgjithshëm i FRD-së, Gazmend Oketa.

Oketa tha pas mbledhjes së kryesisë së FRD-së se kjo parti po bëhet gati edhe për të hyrë e vetme në zgjedhjet e 23 qershorit në rast se nuk do të gjejë pika të përbashkëta për ndërtimin e një koalicioni dinjitoz përpara qytetarëve.

“Kemi deklaruar për përjashtimet e partive me të cilat nuk bëjmë koalicion dhe nga ana tjetër i kemi qendruar korrekt qendrimeve tona se jemi përgatitur si forcë politike për të hyrë edhe të vetëm në këto zgjedhje dhe për të ofruar për qytetarët një zgjedhje dinjitoze. FRD do të bëjë dallimin pikërisht me alternativën që do t’i ofrojë qytetarëve shqiptarë në 23 qershor dhe jemi të bindur se pas këtyre zgjedhjeve do të jemi një faktor vendimmarrës qoftë sa i takon numrave në Kuvend, qoftë sa i takon qeverisjes së ardhshme”, tha Oketa.

Top Channel