PS: Berisha dështoi ndaj krimit

07/04/2013 19:35

Partia Socialiste akuzoi sot kryeministrin se ka dështuar me luftën ndaj krimit dhe se nuk e garanton dot më jetën e shqiptarëve. Ndërsa, nga ana e saj, Partia Demokratike akuzoi liderin e opozitës, Edi Rama, se nuk e pranon që në 21 janar dështoi të merrte qeverinë me dhunë.

“Në 300 ditët e para, ne do ta rivëmë policinë e shtetit në krye të detyrës dhe Shqipëria do të shohë me sytë e saj një polici të rilindur. Do të riorganizojmë rrënjësisht policinë e shtetit dhe të gjitha forcat e rendit e të sigurisë. Do të rrisim trajtimin financiar për policinë e shtetit dhe do ta çlirojmë atë nga kupola e policisë, nga Burgaj e Kuliçaj, që e kanë tradhëtuar policinë e shtetit dhe i kanë lënë qytetarët të pambrojtur përballë revanshit të krimit”, deklaroi Ermonela Felaj, deputete e PS-së.

“Kush i manipulon socialistët? Kush e manipulon faqen e facebook-ut të zotit Rama? Ka vetëm një manipulues dhe një fabrikë manipulimi dhe ai është Edi Rama nga salloni i tij ngjyrë mavi. Edi Rama i detyrohet qytetarëve shqiptarë një shpjegim për sjelljen e tij. Partia Demokratike i kërkon drejtësisë të mos ndikohet nga përpjekjet për manipulim të zotit Rama dhe të ushtrojë në mënyrë të pavarur pushtetin e saj, për të dhënë drejtësi mbi 21 janarin”, replikoi Gert Bogdani, deputet i PD-së.

Top Channel