“Parlamenti nën presionin grek”

07/04/2013 20:05

Kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, deklaroi se parlamenti është nën presionin e ambasadorit grek për çështjen e rezolutës çame.

Ai tentoi të takojë dy relatorët e komisionit të jashtëm, por mundi të bisedojë vetëm me deputetin socialist, Qemal Minxhozi, dhe jo atë demokrat, Fatbardh Kadilli.

Idrizi theksoi sërish se, fati i rezolutës do të përcaktojë edhe koalicionin parazgjedhor për partinë e çamëve.

“Po shohim dhe po konstatojmë, që parlamenti shqiptar është nën presion. E thënë kështu, kam parasysh ish-ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, zotin Panariti, i cili deklaroi se ambasadori grek i ka kërkuar, që të mos miratohet rezoluta e shqiptarëve të çamërisë. Ne jemi të bindur te drejtësia e çështjes çame dhe, nga mbështetja individuale që kemi marrë nga të gjithë deputetët, ne kemi bërë të qartë edhe si parti, por edhe si integrim e unitet, që, pasi të mbarojë miratimi i rezolutës së shqiptarëve të çamërisë, do të shohim pozicionet tona elektorale. Ju falemnderit!”, u shpreh Shpëtim Idrizi.

Top Channel