“Mbrojtur në Shqipëri”

05/04/2013 23:00

Dokumentari “Mbrojtur në Shqipëri: nëntor 1943-shkurt 1944” i gazetares Monika Stafa është shfaqur në Kinema Imperial.

Ai trajton historinë e jashtëzakonshme të shpëtimit në vendin tonë, në vjeshtën e largët të ’43-shit, të ekipit mjekësor amerikan në ndihmë të aleatëve europianë të luftës, i cili gjendej në avionin që përfundoi, në mënyrë të paparashikuar, në malet e Shqipërisë.

Pasi përshkoi, mes shumë rreziqesh, gati gjysmën e jugut të vendit, i gjithë ekipi arriti të evakuohej në Itali.

Histori që, pas dhjetëra dekadash, zbardhet në këtë dokumentar, të realizuar edhe me mbështetjen e ambasadës amerikane. Dëshmi të tjera janë gjetur mbi ngjarjen, edhe pas përfundimit të dokumentarit, të cilat u paraqiten pikërisht në mbrëmjen e promovimit të tij.

“Një prej dëshmive më të rëndësishme, krejtësisht të panjohura deri më sot, që ndriçon këtë ngjarje u gjet nga ne, pasi kishte përfunduar post-produksioni dhe pasi ky dokumentar ishte transmetuar në Top Channel. Pikërisht këto dokumente do të paraqiten tani në vijim, atë të trashëgimtarëve të Hasan Ginës, një prej njerëzve të parë që ra në kontakt me skuadrën amerikane numër 807”, u shpreh gazetarja Monika Stafa.

“Të gjithë ne, në ambasadën amerikane, shohim këtu disa nga kolegët, po prekem nga kjo histori. Fakti që avioni u detyrua të ulej dhe pyetja e parë që ata bënin ishte: nëse do të kishte ndonjë gjerman në mes të personave dhe turmës që i rrethoi papritur”, deklaroi ambasadori i SHBA-ve, Aleksandër Arvizu.

Përpos fatit të ekipit të shpëtuar, dokumentari zbulon edhe kontributin e shqiptarëve antifashistë dhe miq të SHBA-ve, si Kostaq Stefa, Hasan Gina.

Bazuar mbi dokumente e intervista, rrëfim i një historie që meriton të kthehet në kujtesë e që nderon edhe sot shqiptarët, për çka bënë rreth 70 vite më parë.

Top Channel