Plot 38 ditë, pas arrestimit të Arben Frrokut në Selanik, Gjykata e Shkallës së Parë, në një seancë tepër të shkurtër, ka dhënë vendimin për ekstradimin e tij në Shqipëri, por pala mbrojtëse ka kërkuar, që çështja t’i shkojë për vendimin përfundimtar Gjykatës së Lartë në Athinë, kërkesë e cila është pranuar.

Në një intervistë për Top Channel, avokati i tij mbrojtës, Efthimios Kafkopoulos, ka sqaruar se Frroku kërkon të shkojë në Shqipëri, që të provojë pafajësinë, por ka zgjedhur këtë rrugë, në radhë të parë për të provuar, që nuk është fajtor, dhe sepse ekstradimi i tij do të vonohej për disa muaj.

“Ne kërkuam të shkojë çështja në Gjykatën e Lartë, sepse nëse do pranonte ekstradimin do duhej të rrinte 8-9 muaj në Selanik i burgosur, duke pritur vendimin e ministrit të Drejtësisë, sipas të cilit do të bëhej ekstradimi”, tha Kafkopoulos.

Pala mbrojtëse ka këmbëngulur se faktet, që përmban dosja e organeve të drejtësisë shqiptare, nuk qëndrojnë dhe se provat, që Frroku i ka paraqitur trupit gjykues, vërtetojnë krejtësisht të kundërtën.

“Në orën e krimit, që thuhet se Arbeni ka vrarë shefin e policisë, ndodhej 50 km larg Tiranës, ora e ekzekutimit ishte rreth 8 e 30 në darkë, por në të njëjtën orë Arbeni ka fakte nga kamerat e sigurisë në Elbasan, që po furnizohej me benzinë dhe pak kohë më pas ka kaluar kufirin e Kapshticës”, shtoi më tej Kafkopoulos.

E vetmja akuzë, që mund të qëndronte në rastin e Frrokut, është ajo e organizimit të vrasjes nga persona të tjerë, ka thënë Kafkopoulos, por as kjo nuk vërtetohet.

“Dy personat, që sipas drejtësisë shqiptare, duket se e ekzekutuan, janë dy të panjohur, që nuk janë arrestuar, po kërkohen, udhëtonin në një makinë, e cila u gjend gjysmë e djegur në një fshat jashtë Tiranës”, sqaroi Kafkopoulos.

Për pak ditë pritet vendimi i Gjykatës së Lartë, i cili, sipas mbrojtjes, do të jetë pozitiv dhe do të bëjë që Frroku të jetë qytetar i lirë, ndërsa në rast të kundëërt, çështja i kalon Ministrisë së Drejtësisë.

Arben Frroku ka ripërsëritur sot, para trupit gjykues, se është viktimë e një akuze politike dhe ka paraqitur gjithë dokumentacionin përkatës se ai kandidon me Partinë Kristianodemokrate në qytetin e Shkodrës. E gjithë kjo përpjekje bëhet nga rivalët e tij, për ta nxjerrë jashtë lojës politike.

Top Channel