Rrugëtimi 40-vjeçar i celularit

03/04/2013 00:00

Në ditët e para të cdo muaji prill “festohet” përvjetori i krijimit të telefonit të parë celular, që këtë vit mbushi plot 40 vjet.

Pikërisht, 40 vite më parë, më 3 prill të 1973, inxhinieri amerikan Martin Cooper kreu telefonatën e parë me telefon pa kabëll. Vështirë ta quash celular sepse krijesa e tij peshonte 1.3 kilogram, megjithatë ishte hapi i parë drejt telefonisë mobile.

Por si ka evoluar tregu në këtë sektor. Le të hedhim një vështrim pas në kohë duke përshkruar shkurtimisht disa nga markat që revolucionarizuan dhe që vazhdojnë të revolucionarizojnë tregun e telefonave celularë.

Do të duheshin të kalonin 10 vjet nga shpikja e Cooper të të ndërtuar celularin e parë të vërtetë. Bëhet fjalë për Motorola DynaTac 800x. U hodh në treg në vitin 1983 dhe kushtonte rreth 4000 mijë dollarë (ta llogaritësh me vlerën e sotme të dollarët, thuajse dyfish).

Në vitin 1989 sërish Motorola. Këtë herë hedh në treg Micro TAC, i njëjtë si DynaTAC, vetëm se mund të mbahej lehtësisht në xhep. Njohu njëfarë suksesi në disa vende, në të tjera ngeci për shkak të mungesës së rrjetit të valëve të telefonisë celulare.

7 vite më vonë, më 1996 Motorola hedh StarTAC. U bë mjaft popullor sepse ishte i pari që ndërthurte dizajnin dhe cmimin për konsumatorët.

Po në këtë vit, mbërrin Nokia 8110, njohur ndryshe si “banana-fone”. Praktik dhe me një kapak me shinë që mbulonte tastierën. Një version i modifikuar i këtij tipi shfaqet edhe në dorën e Keanu Reeves në filmin “Matrix”.

Sërish në 1996, sërish Nokia. Këtë herë kompania finlandeze hedh një hap galopant për kohën me produktin Nokia 9000 Communicator. Ishte një smartphone i kohës, megjithëse në atë kohë nuk njihej fjala “smartphone”.

Dy vite më vonë, përsëri Nokia, këtë herë me modelin 5110. U përhap me shpejtësinë e dritës në mbarë vendet e zhvilluara, sidomos tek të rinjtë, ndoshta edhe sepse ishte i pari që kishte të integruar lojën “snake”.

Në 1999, Nokia hedh modelin 7110. Një revolucion i vërtetë. Telefoni i parë celular i pajisur me një browser wap për të patur akses në internet.

Në vitin 2000 kompania finlandeze i rikthehet masivitetit, duke hequr dorë nga risitë dhe duke ndërtuar modelin që sot mban numrin rekord të prototipave të shitur, Nokia 3310, telefoni celular që u shit më shumë se 130 milion herë.

Në 2001 shfaqet Ericsson me modelin T68. Telefoni celular i dytë me ngjyra pas Siemens S10 të 1997. Njohu një sukses të kënaqshëm në treg.

Në vitin 2002 mbërrin risia e Sony, SCP-5300, telefoni i parë celular i pajisur me një fotokamer. Hapi epokën e masivizimit të fotografisë.

Në 2003, ndërsa në Europë dhe pjesën tjetër të botës mbretëronte Nokia, në SHBA të gjithë cmendeshin për modelin “CrackBerry” të “Blackberry”.

Pas disa viteve “qetësi” Motorola rikthehet sërish, këtë herë me modelin Razr. Pati një sukses të jashtëzakonshëm, kjo falë dizajnit perfekt, por vec kësaj ishte edhe suksesi i fundit i Motorola-s, që më pas përfundoi në telashe financiare, deri në dorëzimin e divizionit të celularëve tek Google.

Nokia rikthehet në 1 janar të 2007, pak para se të lindte uragani iPhone, me modelin N95. I pari model me internetin e shpejtë 3G.

Tetë ditë më vonë, më 9 janar, Apple dhe Steve Jobs prezanton iPhone dhe ndryshon gjithcka në botën e telefonave celularë.

Një vit më vonë mbërrin HTC Dream, telefoni i parë celular me sistem Android, sistemi i operativ i Google, që shumë shpejt do të shndërrohej në sistemin dominant global.

Në 2010 Samsung lëshon sinjalin e parë ndaj iPhone duke hedhur në treg Galaxy S, hapi i parë i kompanisë koreano-jugore drejt shndërrimit në rivalen e vetme të vërtetë të dominimit të iPhone.

Po në të njëjtin vit, Google në bashkëpunim me HTC hedh në treg Nexus One. “Google-foni” i parë që përvec pikës së fortë, sistemi Android, synoi edhe masën duke u hedhur në treg me cmim të lirë.

Në 2011 Samsung çel një epokë të re me Galaxy Note, një “shartesë” mes telefonave inteligjentë dhe tabletëve.

Në 2012 Nokia kërkon ringjallen me modelin Nokia 808 Pureview, ku përvec përmirësimit të sistemit të operimit Symbian, vëmendje i është kushtuar kameras dhe cilësisë së videove dhe fotove të saj. 41 megapixel…e bëjnë atë më shumë një aparat fotografik profesional se sa një telefon.

Përmirësimet nuk ndalen. Pas iPhone 5 që doli shtatorin e kaluar, Samsung ka paralajmëruar hedhjen e Galaxy S4 në mes të këtij muaji. Të presim e të shohim risitë e tjera.  

Top Channel