Pasojat më serioze nga përmbytja, përveç Obotit që vazhdon të ketë statusin e një ishulli, po i provon edhe komuna e Dajçit, rrugët e të cilës po bëhen të pakalueshme.

Banorët e zonës rrezikojnë jetën duke kaluar në këmbë në zonën ku ujërat shtohen. Gjithashtu, edhe rruga nacionale që lidh Velipojën me Shkodrën është e pakalueshme për mjetet e ulëta.

Aktualisht, si pasojë e shkarkimeve, janë nën ujë rreth 4 mijë hektarë tokë bujqësore, 260 shtëpi të izlouara nga uji dhe disa banesa të përfshira nga ujërat.

Rrjedha e lumit Drin, për shkak të shkarkimeve nga Vau i Dejës, që kanë shkuar në 500 metër kub në sekondë nga turbinat dhe 100 metër kub në sekondë nga portat, pengojnë ndjeshëm shkarkimin e liqenit në lumin Buna. Për pasojë, niveli i ujit në liqen po rritet.

Duke u rritur është edhe niveli në liqenin e Fierzës për shkak të lumit Drin. Në fshatin Breglume të komunës Tërthore të rrethit të Kukësit, uji është afruar ndjeshëm deri në oborre.

Problem është rruga lidhëse e fshatit me zonën tjetër, e cila është bllokuar nga uji dhe bllokon komunikimin me banorët e tjerë.

E vetmja mënyrë lidhëse për transportin e mallrave, ushqimeve e veshmbathjeve janë varkat, të cilat janë të gatshme gjithmonë në këtë stinë.

Kjo nuk është hera e parë që uji mbërrin në oborret e shtëpive të banorëve të Breglumit. Si rezultat i rritjes së nivelit të shtratit të liqenit të Fierzës, rrezikohen 23 shtëpi me rreth 200 banorë, si dhe shumë hektarë tokë bujqësore e kullota.

Top Channel