Që prej të hënës së kaluar, Parlamenti ka nisur të zhvillojë punimet dy herë në javë. Kjo nuk ndodhte që prej 2009-ës, kur Partia Socialiste nuk ishte në Parlament. Por seanca e kësaj të hëne ka qenë ndër më interesantet e këtyre 4 vjetëve.

Mes paqartësisë së deputetëve të dy kampeve se çfarë po ndodh me LSI-në, u zhvilluan votime konsensuale, si ai që u njeh pronarëve, kryesisht në Tiranë, të drejtën për vlerësimin e njëjtë të truallit, pavarësisht nëse brenda parcelës është ndërtuar pallat, garazh apo lulishte.

Natyrisht kishte edhe ligje të qeverisë, që opozita nuk i votoi. Por kishte edhe 3 votime të tjera, që, megjithëse nuk ishin surprizë, konfirmuan vota të njejta të PD dhe LSI-së.

Ky ishte votimi për tre dekretet e presidentit, për 3 anëtarë të Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese, ku PS abstenoi, ndërsa qeveria votoi pro.

Përpara këtij votimi socialistët dhe demokratët përplasën argumentat e tyre për propozimin e qeverisë i cili heq TVSH-në mbi inputet bujqësore. Debati ishte nëse propozimet e qeverisë ngjajnë apo jo me ato të Partisë Socialiste.

“Këtë projektligj që ju parqisni sot, pjesërisht, jo plotësisht, opozita shqiptare ua ka sjellë tre herë. Dhe pikërisht ju dhe ministrat tuaj kanë argumentuar të kundërtën e kësaj qe thua ti. Mirëserdhe. Ne të përshëndesim edhe për aktin e pendesës së zotërisë tënde sot, por ama, këtyre propozimeve që janë të pjesshme, jo tërësore, u mungon akciza e naftës dhe ajo e ilaçeve. Pra, sot mirëserdhët ju tek propozimi ynë”, deklaroi Gramoz Ruçi duke iu drejtuar kryeministrit.

“Nxirr zonja kryetare ligjin dhe lexojaju! Për grurin e importuar, mollët e importuara, fasulet e importuara, patatet e importuara. Ju donit të hiqnit TVSH-në e vezëve dhe qumshtit, ju donit të vrisnit prodhimet në vend. Jo, zotëri, kjo nuk është politika jonë. Politika jonë është nxitja e prodhimit në këtë vend me të gjitha mjetet ligjore të duhura. Prandaj sollëm këtë ligj. Krahasoni ligjet po të doni”, deklaroi nga ana e tij Berisha.

Opozita akuzoi kryeministrin se nuk kishte mbajtur premtimet e dhëna në programin qeverisës të 2009-ës. Dhe rreth 20 të tilla, që Gramoz Ruçi citoi dhe Sali Berisha iu përgjigj, spikatën dy prej tyre.

“Zgjidhjen brenda vitit 2011 të titujve të pronësisë, si dhe përfundimin e legalizimit në të gjithë territorin brenda shtatorit 2010. Nuk kanë gjetur zgjidhje as titujt e pronësisë sipas 7501-shit dhe as legalizimet. Këto janë realizuar më pak se 10 për qind”, vuri në dukje Ruçi.

“Kam një lajm për t’ju dhënë. Do të mërziteni. Këto ditë Banka Botërore, pas një seri testimesh konkludon se sistemi shqiptar i regjistrit dixhital të tokës i akordohet çertifikata e cilësisë më të lartë. Por po jetove në botën e rrejshme, në Shqipërinë e gënjeshtërt, nuk mund të shohësh asgjë për së mbari”, u përgjigj Berisha.

Ndërsa për legalizimet për të cilin akuzoi për mosbashkëpunim të Edi Ramës si kryetar bashkie, kryeministri bëri një premtim tjetër të ri.

“Legalizimet. Urrejtja e dytë janë të ardhurat. Ata nuk i honepsni dot ju. I quani shpellarë, i quani primitivë. Une i quaj qytetarë dhe do të bëj gjithçka për të bërë normale jetën e tyre. Prandaj, absolutisht do të votoni shumë shpejt ligjin për legalizmet e të gjitha ndërtesave nga viti 2006 deri më sot”, tha më tej Berisha.

1 prilli në Parlament, batuta dhe humor mes PS dhe PD

Seanca e gjatë paralamentare nuk la jashtë vëmendjes edhe 1 prillin, ditën e gënjeshtrave. Përfaqësues të qeverisë, si edhe ata të opozitës iu referuan 1 prillit në fjalët e tyre, ndërsa nuk munguan bautat, por edhe humori. 

Top Channel