Në prag të arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë, lideri opozitar Isa Mustafa kërkoi nga kryeministri Hashim Thaçi, që të respektojë Kushtetuten dhe ligjet e Kosovës.

Në një konferencë për media, Mustafa shprehu qëndrimin e tij për krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe, pa kompetenca ekzekutive.

Z. Mustafa shtoi se përmbyllja e këtij proçesi është me rëndësi, sepse institucionet do t’u kthehen temave të rëndësishme në vend.

Njëra ndër to duket se është reforma zgjedhore, për të cilën Mustafa mendon se duhet të përfundojë, në mënyrë që institucionet të zgjidhen nga votat e qytetarëve. Sipas kryetarit të LDK-së, zgjedhjet lokale duhet të mbahen vjeshtën e këtij viti.

“Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson angazhimin e Bashkimit Europian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në dialogun me Serbinë, por po ashtu kërkon nga këto vende dhe nga kryeministri i Republikës së Kosovës, që përfundimet e këtyre bisedimeve, të cilat do të përmbyllen me një marrëveshje ndërmjet dy shteteve, marrëveshje që duhet të ratifikohet nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, të jetë në përputhje me organizimin kushtetues të vendit dhe në përputhje me kornizat e përcaktuara me rezolutën e Kuvendit të Republikës së Kosovës”, tha Isa Mustafa, kryetar i LDK-së.

I pyetur nga gazetarët për kritikat e kryeministrit Thaçi, bërë në Kuvendin e Kosovës sa i përket zhvillimit të Prishtinës, Mustafa kritikoi Thaçin për sjellje jo serioze. Ai sërish kujtoi se qeveria ka bllokuar projektligjin për Prishtinën.

“Është fat i keq ta kemi një kryeministër të tillë, për arsye se problemi i Prishtinës nuk është problem, që e ka krijuar Prishtina, por e ka krijuar qeveria e Republikës së Kosovës. Prej 6 vitesh po vonohet ligji për Prishtinën, i cili do të mundësonte që të kishim mjete për financimin e unazave, sepse ato nuk mund t’i financojë vet Prishtina”, shtoi Mustafa.

Në këtë konferencë për media, Mustafa njoftoi se po bisedohet me LDD-në, në mënyrë që të futen së bashku në zgjedhje. Kreu i LDK-së e quajti të porositur, një sondazh të publikuar ditë më parë, i cili e rendit të parën PDK-në e kryeministrit Thaçi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA