Preç Zogaj, anëtar aktiv i tryezës së opozitës, në një intervistë për Top-Channel, hedh poshtë të gjitha zërat për një largim të mundshëm nga kampi opozitar.

“Nuk kam thënë gjëkundi as me gojë dhe as me shkrim se jam larguar nga opozita. Unë kam hapur një temë ose një proces sqarimi për disa çështje me kryetarin e PS-së, Edi Rama dhe kaq. Nuk ka asnjë përtej kësaj. Po të vij puna për tu larguar nga opozita unë bej konferencë shtypi nuk largohem si kaçak.”

Zogaj shpjegon se marrëdhëniet e tanishme me opozitën dhe kreun e PS-së janë ato që kanë qenë të një opozitari jo si kryetar partie, por si një individ i lirë. Preç Zogaj rendit disa pika diskutimi që ai i ka paraqitur kryesocialistit Rama: “Unë kam shtruar katër probleme: për programin për të cilin kemi gjetur zgjidhje, që lidhet me detin. Jemi marrë vesh dhe ky program pjesërisht do të integrohet në programin e PS-së.  Problemi dytë lidhet me vlerën e opozitarizmit. Problemi i trëtë është vlera e meritës që është një diskutim që e bëj me zotin Rama me shumë mirëkuptim dhe me impenjim nga ana e tij.  Dhe problemi katërt për aleancat eventuale.”

Opozita thotë Zogaj tashmë duhet të kolaudojë fushatën për të përcaktuar temat kryesore që janë temat e antikrizës dhe ato të zhvillimit pa nënvlerësuar çështje të tjera.

Top Channel