Pas kritikave të opozitës lidhur me rritjen e gjobës për ndërtimet pa leje në proporcion të zhdrejtë me vlerën e investimit, maxhoranca rrëzon propozimin e qeverisë duke kërkuar ndryshimin e tij.

Osman Metalla, deputet PD: Për të bërë reduktimin e diapazoneve dhe njëkohësisht të të gjithë penaliteteve të ligjit.

Artan Gace, depuet PS: Gjobat progresive ishte me kokë poshtë dhe kush shkelte më shumë ligjin paguante më pak. Shoh që ka patur një reagim të shpejtë, si rrallëherë të qeverisë shqiptare, pothuajse brenda natës gjithë ajo punë 4-mujore është kthyer me kokë poshtë dhe na është sjellë ashtu sic duhej të ishte, kush shkel më pak paguan më pak dhe kush shkel më shumë paguan më shumë.

Projektligji i propozuar nga Ministria e Punëve Publike dhe Transportit parashikonte që ndërtimet pa leje deri në 10 milionë lekë të gjobiteshin me 30 përqind të vlerës së investimit. Për punime me vlerë nga 10 deri në 50 milionë lekë, dënimi me gjobë ishte deri në 20 përqind të vlerës, ndërsa për punime me vlerë mbi 50 mln lekë deri në 15 përqind të saj.

Opozita e quajti këtë një formë të gjobës progresive, por në sensin e kundërt, sipas së cilës sa më e madhe të jetë shkelja aq më pak penalizohesh. Por një ditë më pas ky ligj kaloi në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese me ndryshimet e propozuara nga vetë deputetët e Partisë Demokratike sipas të cilave ndërtimet pa leje deri në 5 milionë lekë dënohen me gjobë deri në 10 përqind të vlerës së investimit.

Për ndërtimet me vlerë 5 deri në 10 milionë lekë, dënimi me gjobë është deri në 20 përqind të vlerës, ndërsa për punime me vlerë mbi 10 milionë lekë vlera e gjobës arrin deri në 30 përqind të vlerës.                   

Top Channel