Papa Françesku takon paraardhësin

23/03/2013 00:00

Papa i ri i sapozgjedhur është takuar me parardhësin e tij në këtë detyrë. Papa Françesku udhëtoi me helikopter për në Këshjtellën Gandolfo për një drekë me Papë e Nderit, Benediktin.

Benedikti ka jetuar në kështjellën pranë liqenit në jug të Romës që prej muajit të kaluar, që kur u bë papa i parë në 6 shekuj që jep dorëheqjen për shkak të sëmundjes dhe moshës së thyer.

“Ishte një moment i një afrimiteti të thellë. Biseda i dha mundësi Benediktit XVI që të rishprehte aktin e vlerësimit dhe bindjes ndaj pasardhësit të tij, ndërsa këtij të fundit që të falenderonte Bendiktin për rolin e luajtur gjatë papatit të tij”, e ka përshkruar takimin zëdhënësi i Vatikanit, at Federico Lombardi.

Sipas tij, kur Papa Françesku ka zbritur nga helikopteri ka pasur një përqafim mes tij dhe të zotit të shtëpisë dhe kur janë futur në kështjellë për t’u lutur, Benedikti XVI i ka kërkuar mysafirit që të ulej e të lutej, por ai i ka kërkuar që ta bënin bashkë këtë gjë.

“Jemi vëllezër”, i ka thënë Françesku parardhësit të tij, sipas fjalëve të at Lombardit. Biseda private mes tyre ka zgjatur nga 40 në 45 minuta, ka saktësuar Lombardi, sipas të cilit mendja e Papa Françeskut ka qenë gjithmonë tek Papa Emeritus.

Nuk ka asnjë të dhënë apo dokument publik për një takim të mëparshëm mes një Pape dhe një ish-Pape, pasi kreu i Kishës Katolike zakonisht zgjidhet pas vdekjes së parardhësit.

Në vitin 1294, Çelestini i Pestë dha dorëheqjen pas pesë muajsh në detyrë si ati i shenjtë. Bonifaci VIII u zgjodh disa ditë më vonë dhe burgosi parardhësin e tij, i cili vdiq brenda një viti.

Papa i Nderit pritet të qëndrojë në rezidencën verore derisa të përgatitet një sistemim për të brenda mureve të Selisë së Shenjtë, nga fundi i prillit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA