Pikëpyetjet e rastit Prrenjasi

20/03/2013 00:00

Dhjetëra qytetarë dhe aktivistë të shoqërisë civile protestuan para selisë së Presidencë për rastin tronditës të përdhunimit dhe vrasjes së 11-vjeçarit, Julian Çela. Pjesëmarrësit protestuan kundër asaj që ata e quajtën sistem të drejtësisë, i cili nuk garanton të drejtat themelore të shtetasve.

Ndërkohë që Drejtoria e Përgjithshme e Çështjeve të Drejtësisë ka nisur kontrollin mbi veprimet proceduriale të procesit gjyqësor të zhvilluar në 2008-ën, i akuzuar për veprën e heqjes së paligjshme të lirisë dhe jo për marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitur, kjo edhe për shkakun se në atë rast nuk kishte tentuar të kryente ndonjë akt të dhunshëm me fëmijën dhe për më tepër nuk kishte dhunuar atë.

Duke qenë se fëmija kishte dalë nga shtëpia e tij dyshohet t’i ketë shpëtuar përpara se Prrenjasi të ushtronte instiktet e tij të pedofilisë. Prokuroria kërkoi gjobë për të aso kohe dhe gjykata dha 10 mijë lekë më pak nga kërkesa e prokurorit. Aktualisht të dy janë nën inspektimin e Ministrisë së Drejtësisë, ndërkohë që do t’u duhet të japin shpjegimet e tyre lidhur me rastin në fjalë.

Prrenjasi ja kishte vënë fajin gjithcka gjendjes së dehur në veprimin e nxituar me fëmijën në 2008-ën, ç’ka e kishte shpëtuar nga burgu duke qenë se nuk kishte asnjë veprim ndaj minorenit, por inspektorati pritet të dalë në përfundim nëse është ngritur një akuzë gabim, apo është dhënë një gjykim i nxituar.

Procesi zgjati shtatë seanca, gjashtë nga të cilat janë shtyrë, ndërkohë që Prrenjasi kishte kërkuar dhe i ishte pranuar gjykimi i shkurtuar. Vetë gjyqtarja që dha vendimin rezulton që kundër veprës penale marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitur të ketë dhënë dënimin më të lartë në historikun e gjyqësorit shqiptar në 20 vitet e fundit, ndaj britanikut Robin Arnold me 20 vjet burgim.

Edhe në rastet kur ka qenë në gjykime të tjera, ndaj pedofilisë ka dhënë dënime të ashpra. Por ajo që ende mbetet e pasqaruar dhe për të cilën nuk ka nisur asnjë hetim mbetet fakti se si dosja penale deri në 2008-ën e Prrenjasit ishte e bardhë.

Familja e tij edhe gjatë deklaratave në Top Channel deklaroi se e kishte përzënë dhe kishte lajmëruar edhe policinë për rrezikshmërinë e tij, një gjë e tillë u lajmërua më vonë në media edhe nga shtetas të tjerë dhe sërish Prrenjasi nuk figuronte i proceduar penalisht, apo i dyshuar si pedofil.

Për herë të parë procedimi penal ndaj tij daton në 2008-ën, pa patur një lidhje me atë rrezikshmëri të cilën ai paraqiste, marrëdhëniet seksuale me dhunë.

Tiranë, tjetër krim me karakter seksual

Pas sensibilizimit të rasteve të fundit të krimeve me karakter seksual dhe pedofilie, një familje nga Tirana ka reaguar menjëherë duke denoncuar ngacmimin që një 40-vjeçar i ka bërë vajzës së tyre 16 vjeç.

Policia bëri të ditur se arrestoi shtetasin Avni Bajraktari, 40 vjeç, banues në Qesarakë të komunës Dajt, nën akuzën e kryerjes së veprave të turpshme në publik.

Familja ka telefonuar policinë pas ngacmimit që ai i kishte bërë vajzës së tyre. Bajraktari do të hetohet për abuzime me vajza të mitura. Krimi, sipas familjes, është kryer më herët nga denoncimi.

Top Channel