Siri, opozita cakton “kryeministrin”

19/03/2013 03:50

Koalicioni Kombëtar opozitar i Sirisë ka përzgjedhur një kryeministër për të drejtuar një qeveri të rajoneve të zotëruara nga rebelët.

Ghassan Hitto, një ekspert IT i lindur në Damask, është i përzgjedhuri, i cili ka kaluar dekada në Shtetet e Bashkuara. Ai u zgjodh gjatë një takimi të liderëve të koalicionit në Stamboll të Turqisë.

Detyra e parë e Hitto-s është krijimi i një qeverie për të mbikqyrur shërbimet në zonat e pushtuara prej forcave qeveritare. Ndërkohë, SHBA dhe Franca kanë denoncuar sulmin ajror të Sirisë në kufirin libanez, që e kanë quajtur si “shkelje e sovranitetit”.

Raporte nga Libani thonë se aeroplani ushtarak i Sirisë lëshoi 4 raketa në kufirin mes dy vendeve, pranë qytetit libanez të Arsal-it, gjatë së hënës.

Nuk pati viktima nga ky sulm, megjithatë zyrtarë të Libanit thanë në fillim se nuk ishte e qartë nëse raketat kishin rënë brenda territorit libanez.

SHBA e përshkroi sulmin si një “përshkallëzim domethënës” të konfliktit, kurse Franca tha se sulmi konstituoi “një shkelje të re dhe serioze të sovranitetit të Libanit”.

Në votimin e së hënës në Stamboll, Hitto fitoi me 35 nga 48 votat e mundshme, në atë që liderët e koalicionit e quajtën si zgjedhje “transparente dhe demokratike”.

Por, disa liderë kryesorë të koalicionit raportohen se janë tërhequr nga votimi, në shenjë proteste ndaj mungesës së eksperiencës ushtarake të Hitto-s.

Nëntorin e kaluar, 50-vjeçari u zhvendos nga Texas në Turqi, për të ndihmuar koordinimin e sulmeve në zonat e kontrolluara nga rebelët.

Më herët, komandanti i Ushtrisë së Lirë Siriane (rebelët) tha se grupi i tij do të punonte “nën çadrën” e çdo lloj qeverie të re. “Çdo institucion, që nuk do të ndiqte urdhrat e kësaj qeverie do të konsiderohej se po vepronte në mënyrë antiligjore dhe do të ndiqej penalisht”, tha gjeneral Selim Idriss për agjencinë e lajmeve AFP.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA