Me duartrokitje të zjarrta kanë pritur qindra emigrantë shqiptarë deputetët Pandeli Majko, Taulant Balla, kryebashkiakun e Korçës, Niko Peleshi, dhe drejtues të kësaj partie në Korçë e gjithë Greqinë, në një takim në qytetin e Selanikut, ku kanë diskutuar për zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Shqipëri.

“Fushatën elektorale së bashku me shokët, thamë ne duam ta fillojmë nga këtu, nga emigracioni. Dëshiroj t’iu them se zgjedhjet e 23 qershorit do të jenë të rëndësishme, sepse nuk do të jenë thjesht zgjedhje, por referendum. Sot Shqipëria ndodhet vërtet në një udhëkryq nga mendja që kanë. Ju jetoni në një vend, i cili kaloi një krizë të jashtëzakonshme financiare, për arsye të borxheve të marra. Ne në Shqipëri jemi duke ecur pikërisht në këtë rrugë. Sot ne drejtohemi nga një qeveri e papërgjegjshme”, u shpreh Majko.

“Kemi 20 vjet që, ne që punojmë në Shqipëri, edhe rrogat i marrim për shkakun tuaj, por ka 20 vjet që asnjë qeveri nuk ka ardhur këtu në emigracion, për të thënë e për të bërë disa gjëra që janë shumë konkrete”, tha Balla.

“Sidomos këtu në Greqi, jetojmë pothuajse gjysma tjetër e Shqipërisë. Ky është një takim që na emocionon me të hyrë në derë, duke parë masivitetin, por edhe entuziasmin tuaj. Të bie në sy dëshira e shpresa, që është e shkruar në sytë tuaj, për një të nesërme më të mirë të Shqipërisë”, deklaroi Peleshi, kryetar i Bashkisë Korçë.

Duke kritikuar qeverinë e korruptuar, ata u kanë kërkuar emigrantëve votën e tyre të pastër, duke u sqaruar se përpjekjet kryesore të socialistëve po shkojnë në këtë fushatë për mbrojtjen e votës dhe se ata do të luftojnë për t’i dhënë fund korrupsionit politik, për të rivendosur rendin publik në Shqipëri, për ta pastruar atë nga elementet kriminale.

“Sudja, ajo e piramidave, ka vajtur e ka trokitur se kërkon të shpallë falimentin tani në vitin 2013, por ne nuk po vuajmë nga falimenti i Sudes, por i një “S”-je tjetër, që sot drejton vendin dhe qeverinë”, shtoi Majko.

“Majko tha diçka të bukur, duke përmendur Suden. Në fakt ju nuk e dini, por me çfarë na rezulton, Saliu është babai i Sudes, sepse, jo vetëm që ekonominë, në 8 vitet e qeverisjes së tij, e rrënoi, e mbyti në borxhe, por ka edhe një arsye tjetër: sepse në 5 vitet e fundit, 2008-2013, 1,3 miliardë dollarë janë larguar nga Shqipëria, të cilat janë para korrupsioni e evazioni fiskal, të cilat mund të përdoren për të blerë votën, një rrezik shumë i madh ky për Shqipërinë”, tha Balla.

Ata, gjithashtu, kanë theksuar se përballë një regjimi të manipuluar, që do të bëjë çdo gjë për të rimbajtur pushtetin, vetëm një valë e madhe votuesish të parezistueshëm, siç janë emigrantët nga Greqia, Italia dhe vende të tjera të Europës, do të pastrojë pisllëkun, që ka lënë pas qeveria e Sali Berishës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA