Fatos Baxhaku – Gjithnjë, kaherë, ka lindur pyetja e barazueshmërisë së
votës. Çfarë do të thotë? Pyetja lidhet nëse vota e një mësuesi, e një
profesori, e një mjeku, e një intelektuali është po aq e barabartë me
atë të një (me gjithë respektin njerëzor të mundshëm) analfabeti, e një
bariu të izoluar ndër male, e një romi që nuk i njeh edhe aq mirë
partitë, e një shtëpiakeje të lodhur, e kështu me radhë.
Parimi themelor i demokracisë është që të gjitha krijesat njerëzore, në thelb, janë të barabarta, e pra edhe në votime. Kjo është një nga të paktat të drejta universale që janë pranuar botërisht nga njerëzimi. Në parim, në teori, ndër mendjet tona, ndër llogari paraelektorale, vota e çdokujt është po aq e vlefshme sa edhe ajo e të tjerëve, qofshin këta të paditur, të mashtruar, të paguar, të gënjyer, apo qofshin këta njerëz, që votojnë me vetëdije të plotë, të pandikuar nga interesi i momentit, nga tradita familjare, nga halli i ditës, nga vendi tremujor i punës e kështu me radhë.
Sido që të jetë, çfarëdo që të kemi pranuar nga demokracia si ëndërr, si mundësi e vetme, si teori, si religjion, si besim i thellë, sërish në praktikë del në skenë herë pa here mosbarazueshmëria e votës, si me thënë një element që, në praktikë, thyen deri diku barazueshmërinë e saj në teori.
Në traditën tonë zgjedhjet, me përjashtim të ndonjë rasti fatlum të dekadave të fundit, kanë qenë sa e sa herë të diskutueshme dhe jo të pranueshme plotësisht. Të parat ndër trojet tona ishin ato, që u kryen pas shpalljes së “Hyrijetit” (Lirisë) së xhonturqve, në dhjetor të 1908. Ishte hera e parë që shqiptarët, ende nën Perandorinë Osmane, kishin të bënin me këtë mekanizëm demokratik të së ardhmes. Konsulli austro-hungarez, Kral, në Shkodër, i shkruan kështu ministrit të tij, Aehrenthal. Asokohe, votuesit shqiptarë ishin vetëm meshkuj: “Mashtrimet e para nisën me regjistrimin e popullsisë. Sipas asaj që ishte thënë, regjistrimi i votuesve meshkuj duhej kryer në bashkëpunim me priftërinjtë katolikë. Mirëpo, kjo nuk ndodhi dhe nuk është për t’u çuditur, që në të tilla rrethana, në lista janë shënuar shifra krejt arbitrare. Sido që të jetë, banorët e paditur shpesh ishin të paqartë mbi listat në përgjithësi, aq sa nga ana katolike shumë herë u humb fare e drejta e votës… kështu ka qëlluar që numri i katolikëve kudo është shënuar relativisht më i ulët sesa është në të vërtetë. Prandaj atje ku kishte një shumicë tradicionale katolike është sajuar një pakicë”. E pra, të paktën në publik, xhonturqit kishin ardhur në pushtet duke shpallur barazinë e të gjithë qytetarëve osmanë, e të gjitha kombësive dhe feve. Një gjë fort e bukur, e cila e gënjeu për pak kohë edhe Europën e vjetër, por vetëm për pak kohë se! Për atë kohë ne vetëm mund të marrim me mend se sa e barabartë ishte vota e një agai mysliman me atë të një malësori të krishterë, që as nuk e dinte se ku duhej të votonte dhe për më tepër përse dhe për kë të votonte. Pasojat e këtyre votimeve, të parat ndër ne, por edhe në Perandorinë Osmane, tashmë dihen. Ishin thuajse një farsë.
Një tjetër përvojë është ajo e 1921-t. Shkruan historiani Bernd J. Fischer për periudhën pas Kongresit të Lushnjës: “Kongresi krijoi një dhomë parlamentare të përbërë prej shtatëdhjetë e nëntë deputetësh, bazuar në një sistem elektoral, i cili ndonëse demokratik në dukje, e linte krejt pushtetin në duart e disa pak udhëheqësish që kishin organizuar sistemin. Sistemi i votimit bazohej në parimin e kolegjit elektoral, sipas të cilit, çdo 200 meshkuj, 90 për qind e të cilëve ishin analfabetë, kishin të drejtë të zgjidhnin një përfaqësues. Përfaqësuesit e zgjedhur në këtë mënyrë votonin për listat e kandidatëve, të paraqitura nga lart: në të dyja rastet votuesit ndiqnin në mënyrë të verbër urdhrat që u jepeshin. Si shembull, në zgjedhjet e para, në Shkodër, një prej qendrave më të përparuara të Shqipërisë, krejt lista e kandidatëve katolikë, të emëruar prej udhëheqësve të partive, u ndryshua në çastin e fundit; megjithatë kjo nuk u bë pengesë që lista e re e dhënë në çastin e fundit të votohej krejtësisht”.
Nëse nuk i marrim në konsideratë votimet formale, që kanë ndodhur që nga 1945 e deri në 1991, atëherë na duhet të themi se kemi vërtet një traditë “të pasur” në mohimin e cilësisë së votës. Këtu ndikojnë shumë faktorë. Më i pari nga të gjithë është vetë ligji aktual elektoral. Duhet të jemi krejt të bindur se edhe nëse listat e kandidatëve shpallen në kohë, edhe nëse takimet elektorale shpërthejnë ngado, shumë nga ne, mos me thënë shumica e votuesve të 23 qershorit të ardhshëm as që nuk do t’i njohin njerëzit për të cilët do të votojnë, as si fytyrë dhe as si emra. Dhe kjo sigurisht që e ul ndjeshëm cilësinë dhe besueshmërinë e votës. Vota e dhënë kështu është në thelb një votë e luhatur, me dy mendje, një votë që të çon në një pushtet që mbahet mbi dyshime, mbi hamendje, në rastin më të mirë mbi shpresa, por jo mbi bindje të thella.
Veç kësaj dy krahët e mëdhenj elektoralë duket se kanë ndërmend të marrin vota nga të gjitha shtresat e votuesve, duke nisur që nga miliarderët e duke përfunduar te të varfrit më të rrënuar. Me një fjalë, këto zgjedhje (me përjashtim të FRD, që po synon të ringrejë aq sa është e mundur nga e djathta tradicionale shqiptare e pakompromentuar me ish-komunistët) janë të destinuara të mosrespektojnë deri në fund cilësinë e votës, njësoj si të parët e politikës sonë. Te ne, me ndonjë përjashtim tjetër te partitë e vogla të tipit FRD, PBDNJ, PDIU, askush nga votuesit nuk e ka të qartë se cila prej të mëdhave e mbron më mirë, nëpunësin, policin, mësuesin, fshatarin, të papunin, pensionistin. Të gjithë premtojnë për të gjithë dhe për gjithçka, njësoj sikur befas të kenë në njërën dorë një glob të kristaltë dhe, në tjetrën, një shkop magjik, gjë që sigurisht nuk ka se si të ndodhë.
Politika e sotme ka harruar, se edhe në rast të një fitoreje të mundshme të “x” apo “y” partie, e para duhet të ketë një shumicë bindëse dhe jo të bazuar në një aleancë tavolinash në momentin e fundit, dhe e dyta, vota që ajo do të marrë, duhet të jetë bindëse, mbështetëse, e motivuar dhe jo një votë që mund të shkojë andej-këndej sa herë që të zhgënjehet. Që të ndodhë kjo, të gjithë bashkëvotues e politikanë, duhet të pranojmë, që në teori vota e gjithsecilit është e barasvlefshme me atë të të tjerëve, porse në praktikë nuk është aspak kështu. Duhet të pranojmë, të dyja palët bashkë sigurisht, që për ta zgjidhur këtë kundërshti elementare të demokracisë duhet të aktivizohen instrumentet politike, ideologjike, propagandistike. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë edhe në 23 qershor do të kemi një fitues, i cili ende nuk e di mirë se kush e ka votuar, e duke qenë kështu nuk e di mirë se ku do ta mbështesë qëndrueshmërinë e qeverisjes së tij në të ardhmen.
Top Channel