Ashtu siç është bërë tashmë ritual i përvitshëm në çdo 15 mars, edhe këtë herë, kur shënohen plot 5 vjet nga shpërthimi tragjik në fabrikën e demontimit të armëve, janë përkujtuar nga familjarët dhe opozita 26 viktimat që la pas kjo tragjedi.

Afër mesditës, në kohën kur edhe ndodhi shpërthimi në fabrikën e demontimit të municioneve, familjarët e viktimave të kësaj tragjedie kanë ecur në heshtje përgjatë rrugës që të çon te krateri i shpërthimit, e cila pas tragjedisë është pajisur me sinjalistikën për rrezikshmërinë e demontimit të municioneve.

Duke pasur si ngushëllim të vetëm kërkesën për çuarjen e drejtësisë në vend, familjarët kanë vendosur lule në memorialin ku janë shkruar emrat e 26 viktimave, mes të cilëve edhe fëmijë.

Homazheve i është bashkuar dhe kryetari i opozitës Edi Rama, i shoqëruar nga deputeti socialist Artan Gaçi. Kreu i opozitës vendosi gjithashtu lule dhe nderoi viktimat duke shmangur deklaratat nga vendi ku pesë vjet më parë ndodhi shpërthimi tragjik në fabrikën e demontimit të municioneve në fshatin vetëm pak kilometra larg Tiranës, që la pas 26 viktima dhe rreth 300 të plagosur.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA