Nënë Shemo është larguar 9-vjeçe nga Çamëria. Ndërsa prinderit e saj përpiqeshin të seleksiononin ushqimet për të përballuar rrugën, ajo mblidhte kukullat e saj prej lecke.

“Kur e mendoj atë ditë që ikëm nga Çamëria, nëntë vjeçe isha, por si 30 e kam jetuar, aq shumë u mërzita, kur mendova si i kthyem krahët shtëpisë, katandisë, nikoqiratave. Po prindërit e mi si mund të jenë ndjerë? Ikëm, vetëm të shpëtojmë kokën thonte babai im. Të shpëtoj fëmijët, pa s’dua gjë tjetër”, kujton nënë Shemo, me një kujtesë që nuk është ndikuar nga vitet e shumta që kanë kaluar nga eksodi dhe masakrat e çamëve, në shtetin grek.

Këtë histori e kanë dëgjuar shumë herë nipërit e mbesat e saj, të cilët në vend të përrallave janë rritur me historitë e trishta e të pazakonta të gjyshes.

“Ec e ndalo, rrugëve, zbadhur, zhveshur, në këmbë, ulu këtu e qëndro atje. Të lodhur, të munduar, të rraskapitur”, rrëfen e moshuara.

Histori të cilat u kanë kultivuar atyre dashurinë për një tokë të cilët ata e njohin tashmë prej së afërmi.

“Nëna na i ka treguar shumë herë këto histori dhe unë kërkoj që t’i përsërisë. Pastaj, kur e pashë Çamërinë me sytë e mi, mbeta i mahnitur nga bukuritë e saj të jashtëzakonshme”, thotë nipi.

Megjithëse i takon brezit të tretë, Silvestri, është shumë i lidhur me Camërinë.

Çamëria, për mua është vendi i nënës gjyshit, gjithë trungut, pemës me mbiemër Hamiti dhe Velo, një nga vëndet që dëshiroj e më pëlqen më shumë për shkak se është shumë i bukur dhe i pastër.

Këtë dashuri, padyshim ai e ka trashëguar nga i ati, Shpëtimi, i cili ka pasur fatin të jetojë për një vit në Çamëri, në vitet ’90 atëherë kur për një jetë më të mirë atij i duhej të emigronte.

“Ishte një rastësi më tepër, pavarësisht dëshirës që çdo çam të ishte atje në mënyrë absolute, ishte një rastësi sepse atje ku po rinim, na erdhi dikush e na mori për punë, e duke qenë se isha rritur me dialektin çam, unë e kuptova më mirë nga të gjithë dhe më përzgjodhi”, kujton Shpëtimi.

Ai na tregon se ishte habitur kur në vendin ku puonte atje në Çamëri vazhdohej të flitej shqip dhe madje se ne konfidencialitet banoret tregonin se ishin shqiptare.  

“Kur dikushi në një moment më tha: “Më thuaj a je verioroperiot apo çam. i thashë jam nga Tirana, por ai këmbënguli përsëri. Iu përgjigja, “Tirana është në zemër të Shqipërisë dhe unë jam shqiptar”. Aty ai më thotë duke u ngritur në këmbë, quhej Tasho: “Edhe ne këtu të tërë shqiptar jemi, por e kemi këmbën këtu në fyt dhe nuk ndihemi dot. Edhe ky që punon ti, që e ka Spiro Thanasi, e ka Rexhep emrin e vërtetë”. Aty bëra lidhjen pasi kisha dëgjuar që ta thërrisnin Rexho, Rexho. Ishte një kënaqësi e jashtëzakonshme, kam kujtime të jashtëzakomshme nga ajo zonë”.

Me kujtime jeton dhe nene Shemoja, dhe me keto kujtime rriten dite pas dite dhe niperit e mbesat e saj te cilet sidoqofte kane mundesi te shkojne të shikojnë vendin ku kane lindur te paret e tyre.

Top Channel