Protesta kundër privatizimit të HEC-eve

03/03/2013 19:50

Qindra banorë të komunës Ulëz kanë protestuar në qendër të komunës dhe para hidrocentralit të Ulezës, të cilët kanë kundërshtuar privatizimin e dy hidrocentraleve, atij të Ulëzës dhe të Shkopetit.

Në këtë protestë morën pjesë deputeti i Partisë Socialiste, Qemal Minxhozi, përfaqësues nga sindikata e punëtorëve dhe nga shoqata e mbrojtjes së pronave.

Gjatë protestës, Minxhozi është shprehur se duhet të ndalet privatizimi i këtyre hidrocentraleve, që janë në punë, dhe nuk duhet t’i jepet pasuria kombëtare e t’i lihet në dorë fati i tyre kësaj qeverie, që do të mbushë arkën e boshatisur të shtetit.

Një pasuri që nuk mund të përdoret për qëllime elektorale. Ndërkohë, Minxhozi shprehet se nuk mund të mbushet thesi me vrima i qeverisë Berisha.

Kryetari i sindikatës së punëtorëve, Fran Menga, shprehet se “jemi kundër privatizimit të hidrocentraleve, që janë vepra të brezave dhe që janë në efiçencë të plotë, djersa dhe kontributi jonë – thotë ai – nuk duhet të zhvlerësohet pse qeveria është në krizë dhe se shteti, në asnjë mënyrë, nuk mund të tallet me djersën tonë”.

Ndërkohë edhe vet banorët janë shprehur se “do të ngrihemi në protestë kundër privatizimit të hidrocentraleve, sepse aksionerë të vërtetë jemi ne, që kemi dhënë trojet tona për ndërtimin e këtyre hidrocentraleve dhe se do të protestojmë në të gjitha mënyrat, deri në bllokimin e rrugës nacionale, pasi jemi në të drejtën tonë”.

Top Channel