Prokuroria dështon për marrjen në pyetje të Pecit

18/02/2013 00:00

Florije Peci nuk ka mundur të tregojë asgjë për hetuesit, pasi nuk
mundet të komunikojë qartë dhe në mënyrë të kthjellët. Kjo mësohet se ka
ndodhur për shkak të gjendjes tepër të rënduar psikologjike që i ka
ardhur nga shtatzënia e mistershme, por edhe si pasojë e dëmtimeve në
tru që ka pasuar në aksidentin e Himarës.

Sipas hetuesve të Prokurorisë së Tiranës, të cilët kanë nisur procedimin penal për përdhunim, mësohet se ajo nuk ka qenë në gjendje të flasë, e për më tepër të shpjegojë diçka mbi abuzimet seksuale me të. Sipas të dhënave, hetuesit kanë kërkuar të zhvillojnë një bisedë me pacienten e shtruar në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”, por për shkak të gjendjes tepër të rënduar psikologjike dhe jo të kthjellët, grupi i hetimit është këshilluar nga mjekët e spitalit, por edhe nga psikiatri që të mos zhvillonin seancën e marrjes në pyetje. Kjo ka bërë që grupi hetimor të tërhiqet për marrjen në pyetje të saj dhe aktualisht puna është përqendruar vetëm në administrimin e provave shkresore, si dhe marrja në pyetje e mjekëve, motrës dhe vëllait të Florije Pecit. Aktualisht, prokuroria ka sekuestruar edhe dosjen për Florije Pecin në maternitetin e Tiranës, ku rezulton se ajo është 23-javëshe shtatzënë.

Nga ana tjetër mësohet se për shkak të gjendjes tepër të rënduar, studentja ka shfaqur probleme të theksuara mendore. Sipas grupit hetimor, me pacienten është shumë e vështirë të flasësh, për shkak se ajo komunikon përçart dhe nuk është në gjendje t’u përgjigjet pyetjeve. Nisur nga kjo situatë tashmë me të është duke punuar një psikologe, me qëllim përmirësimin e gjendjes së saj mendore dhe përmirësimin e kujtesës. Nëse 22-vjeçarja arrin të kujtojë atë që i ka ndodhur në Austri, atëherë dhe prokuroria shprehet se do e ketë shumë më të lehtë për të shkuar te personi përgjegjës. Ndërkaq, sipas prokurorisë, ajo që mund të zgjidhte gjithçka rreth misterit të shtatzënisë së studentes së Elbasanit, Florije Peci, është analiza e ADN-së. Mirëpo, në kushtet kur Prokuroria e Tiranës nuk ka një person të dyshuar, nga ku mund të marrë kampionë gjaku për analizim me kampionë të gjakut të fëmijës që ajo mban në bark. Për pasojë, shpresa e vetme për hetimin e kësaj çështjeje, është dëshmia e motrës së Pecit, si dhe verifikimet që do të kryejnë autoritetet austriake.

Megjithëse hetimet rreth shtatzënisë së mistershme të Florije Pecit janë në fazën fillestare dhe autoritetet shqiptare nuk kanë marrë asnjë përgjigje zyrtare nga pala austriake. Por, grupi hetimor tha se ende nuk mund të japë një përgjigje për dyshimet konkrete, pavarësisht se nuk përjashtohen as spitali dhe as aktiviteti që Florije Peci ka pasur gjatë ditëve kur dilte nga klinika spitalore. Megjithatë, këto mbeten vetëm supozime që shtrohen nga grupi i hetimit, të cilët kanë vetëm pak ditë që kanë filluar hetimet rreth skandalit të shtatzënisë së Florije Pecit, e cila mbeti e plagosur rëndë në aksidentin e 21 majit në Himarë. Gjatë kësaj jave, Prokuroria e Tiranës do të urdhërojë spitalin të kryejë edhe një EKO tjetër, duke u kërkuar mjekëve sqarimin me detaje të kohës së ngjizjes së fetusit, përcaktimin e saktë të peshës, moshës, gjendjen shëndetësore dhe seksin e foshnjës. Të gjitha këto janë veprime që kryhen me qëllim, mbledhjen e informacionit, që më pas një pjesë e të dhënave t’i dërgohen me letërporosi autoriteteve austriake. Pritet që në letër-porosinë e palës Shqiptare, të kërkohet kryerja e një sërë veprimesh hetimore në Austri, duke filluar nga këqyrja e regjistrit të hyrje-daljeve në klinikën private, verifikimi i pamjeve filmike të spitalit, në të cilin ka të instaluara kamera në korridore dhe në dhomat e pacientëve, pyetja e stafit të mjekëve që ka kuruar pacienten Florije Peci, si dhe pyetja e anëtarëve të familjes kosovare, ku ka qëndruar e dëmtuara.

Familja: Mjekët na thanë që Florija nuk do të ngelte asnjëherë shtatzënë

Florije Peci, e mbijetuara e tragjedisë së Himarës, dyshohet që të jetë abuzuar seksualisht në Qendrën e Rehabilitimit në Austri përreth tre muaj. Historia tragjike nuk është zbuluar nga asnjëri prej familjarëve apo drejtuesit e Spitalit Austriak, pavarësisht se mendohet që abuzimi ka filluar menjëherë pas daljes së saj nga gjendja e komës. Një gjë e tillë konfirmohet nga deklaratat e të njohurve të Florijes dhe konkluzionet e nxjerra nga ekipi mjekësor shqiptar. Sipas të dhënave, dalja nga koma, pas mjekimit të specializuar në Austri, ishte një lajm i gëzueshëm për të gjithë familjen Peci, por ajo kishte nevojë për rehabilitim, sepse haste vështirësi në lëvizjen e gjymtyrëve dhe probleme me shëndetin mendor. Në fund të muajit korrik, mjekët e dërguan në qendrën e rehabilitimit. Në fillim të gushtit, gjatë rehabilitimit, dyshohet që të ketë nisur abuzimi seksual ndaj 22-vjeçares. Kjo gjë pretendohet për shkak të sjelljes së studentes, e cila në këtë periudhë ka folur përçart për çështje morali me të gjithë personat që kishte pranë. Njëkohësisht i thoshte të vëllait se në bark mbante një fëmijë. Kjo përçartje ka zgjatur disa ditë, derisa Florija duket se e ka “pranuar” abuzimin si një gjë normale, ku rehabilitimi shoqërohej edhe me përdhunimin. Lumije Peci, shqiptarja nga Kosova, e cila deri në fund ka bërë përpjekjet maksimale për të ndihmuar familjen në fjalë, pasi ka dëgjuar mënyrën e të folurit të Florijes, i është drejtuar mjekut të studentes. Ai e ka qetësuar Lumijen, duke i thënë që është një gjë normale pas daljes nga gjendja në koma. Sipas mjekut, pacientët, pas kësaj faze përjetojnë momente halucinacionesh dhe është normale që të flasin përçart. I gjithë dyshimi është hedhur poshtë, e askush nuk e mori seriozisht “denoncimin” e Florijes, të cilin e shprehte në mënyrën e saj. Abuzuesi seksual dyshohet se ka vijuar i qetë abuzimin deri në daljen e saj nga spitali, me idenë që e vërteta nuk ka për t’u zbuluar kurrë, pasi fjalët e pacientes askush nuk i merrte seriozisht. Aktualisht, autori mbetet ende i paidentifikuar dhe familjarët kërkojnë zbardhjen e të vërtetës dhe dënimin maksimal të atij që kreu krimin. Nga ana tjetër, e motra e Florijes, Erida Peci, thotë se mjekët i kanë thënë 22-vjeçares se ajo nuk do të bëhej kurrë nënë. “Mjekët na kanë thënë se motra ime nuk do të kishte mundësi të ngelte shtatzënë prej traumave që pësoi nga aksidenti. Nuk e kuptoj sesi ka ndodhur një gjë e tillë”, citon motra e 22-vjeçares. Por deklarata e familjarëve është mohuar nga përkthyesja shqiptare, e cila u shpreh se mjekët nuk e kanë konfirmuar një gjë të tillë.  “Unë në çdo moment kam qenë pranë Florijes dhe mjekëve. Ata nuk e kanë thënë një gjë të tillë. E gjithë kjo histori na ka tronditur me ato që thuhen poshtë e lart. Presim të dalë e vërteta, sepse jemi të lodhur nga i gjithë ky skandal”, shprehet përkthyesja Lumije Peci.

Gazeta “Shqip”

Top Channel