Minoritarët, protestë për pensionet

18/02/2013 00:00

Përfaqësues të minoritetit grek kanë protestuar ditën e hënë përpara
konsullatës së Greqisë në Gjirokastër, kundër vendimit të Qeverisë greke
për t’ju hequr pensionin që e përfitonin prej vitesh nga ky shtet.

Rreth 150 banorë të minoritetit grek kryesisht të moshuar të zonës së Dropullit kanë protestuar para Konsullatës së Përgjithshme greke në Gjirokastër, për ndërprerjen para një muaji të pensioneve që merrnin prej shtetit grek.

Protestuesit janë tubuar me flamuj grekë dhe flamuj të zinj para konsullatës greke ndërsa mbanin në duar parrulla.

“Ndihemi të braktisur, me ato para merrnim ilacet dhe jetonim. Kjo do të thotë vdekje për ne”, thotë një banor.

“Nuk mund ta braktisim këtë vend dhe t’i bëhemi barrë fëmijëve në Greqi. Pas kaq shumë vitesh vuajtje Greqia na harroi. Ne jemi grekë, na takojnë ato para. Të paktën mund të pajtoheshim me kufizimin por jo kështu, ata po na lënë të vdesim”, shprehet një tjetër protestues.

“Vetëm për të shkuar në Greqi e për të parë fëmijët na duhen 70-80 euro, 100 euro cdo muaj për ilace. Tani nuk I marrim dot më. Në Shqipëri na kanë zhvatur, thonë se jemi grekë  kemi lekë dhe paguajmë nën dorë për të gjitha shërbimet në spitale”, thotë një banor tjetër.

Një përfaqësi e protestuesve ka marrë takim me konsullin grek në Gjirokastër të cilit i ka dorëzuar dhe një listë me kërkesa. Protestuesit thanë se konsulli grek në Gjirokastër ka mbështetur kërkesat e pensionistëve ndërsa i ka drejtuar qeverisë greke dhe të gjitha partive politike një kërkesë paraprake ku sqaron të gjithë situtën e krijuar pas ndërprerjes së pensioneve për pensionistët nga minoriteti grek. Minoritaret  kanë paralajmëruar protesta të reja  dhe më massive në fillim të marsit nëse nuk do të plotësohen kërkesat e tyre. Shteti  grek  deri tani  ju afronte  nje pension te tille  16 000  minoritareve  ne  Shqiperi  dhe 25 000 minoritareve ne Rusi. Ne total shuma e  adresuar per keto minoritete kapte vleren e 71  milionë eurove.

Top Channel