FMN-BB: Ndalni rritjen e borxhit

15/02/2013 22:50

Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar i kanë kërkuar qeverisë të ndalë rritjen e borxhit dhe të hartojë menjëherë një plan konkret për uljen graduale të tij.

Gjatë një tryeze të rrumbullakët me ministrin e Financave, shefi i misionit të FMN për Shqipërinë, Nadem Ilahi, dhe krye-ekonomisti i Bankës Botërore për Europën dhe Azinë, Indermit Gill, i kanë kërkuar njëzëri qeverisë të marrë masa të prekshme, të cilat përforcojnë politikën e matur fiskale, për t’i dërguar tregjeve një sinjal të besueshëm.

“Një objektiv i besueshëm i borxhit dhe konsolidim fiskal i vazhdueshëm, por gradual në afatmesëm, do të jepte një sinjal të mirë të angazhimit të qeverisë ndaj qëndrueshmërisë së borxhit, duke përmirësuar në këtë mënyrë besimin dhe duke ulur kostot e huamarrjes së sektorit publik”, është shprehur shef i misionit të FMN.

Të dy ekonomistët e lartë, përfaqësues të institucioneve më prestigjioze financiare të botës, deklarojnë se ky nivel borxhi është i rrezikshëm për Shqipërinë.

“Ndërkohë që rreziku më i madh i jashtëm për ekonominë shqiptare është dobësia në Eurozonë, kërcënimi më serioz i brendshëm është zhbalancimi në financat publike. Në një kohë që qeveria shqiptare nuk mund të bëjë shumë për të ndihmuar vendet e tjera, mund dhe duhet të bëjë më shumë për të balancuar llogaritë e veta,” është shprehur krye-ekonomisti i Bankës Botërore Gill.

Ministri i Financave, Ridvan Bode, ka mbështetur propozimet për uljen e borxhit, por vetëm pasi ekonomia të fillojë të rimarrë vetën nga kriza.

“Ndërkohë që mbështetja e ekonomisë, nëpërmjet instrumenteve efektivë të politikave makroekonomike, është me rëndësi kritike në këtë kohë të vështirë, deri në momentin që kërkesa merr veten dhe ekonomia rifiton forcën e saj, stabilizimi dhe ulja graduale e borxhit publik në kohë mbetet një përparësi kryesore e qeverisë,” ka deklaruar Bode.

Në deklaratën e përbashkët për shtyp, të Ministrisë së Financave, Fondit Monetar dhe Bankës Botërore, vihet në dukje se, sot, borxhi publik i Shqipërisë, mbi 60 për qind e prodhimit kombëtar, është nga më të lartët në Europën Juglindore, ndonëse rritja e tij gjatë viteve të krizës ka qenë më e ulët se në vendet e tjera të rajonit.

Por, siç thekson njoftimi, pasiguria në sektorin e energjisë dhe disa borxhe në punët publike i janë shtuar barrës fiskale, pasi do të kërkojnë shpenzime të sektorit publik në të ardhmen.

Paralelisht me këtë, në deklaratë vihet në dukje edhe një tjetër element shqetësues i borxhit të Shqipërisë, që ka të bëjë me afatin e shkurtër të maturimit, duke shtuar rrezikun e rifinancimit të tij.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA