Eksploziv kryqit ortodoks në Elbasan

14/02/2013 00:00

Kryqi i madh i vendosur në rrugën
Elbasan-Tiranë është bërë objekt i një sulmi vandal nga persona të
paidentifikuar, të cilët mendohet se kanë përdorur eksploziv për ta
rrëzuar.

Persona të paidentifikuar janë përpjekur të shembin kryqin ortodoks në fshatin Fikas të Elbasanit, ndërkohë që kjo mendohet se ka ndodhur të hënën në mbrëmje, pasi banesat që ndodhen pranë janë tronditur nga një shpërthim i fuqishëm. Fillimisht është menduar se tronditja ka ardhur nga metalurgjiku, por në mëngjes është konstatuar dëmtimi i kryqit ortodoks mbi fshatin Fikas të Komunës së Bradasheshit. Kisha ortodokse e Elbasanit, në një notë proteste, e lidh këtë ngjarje edhe me shkatërrimin e afreskeve murale të kishës së Valëshit në Komunën e Gjinarit, pak ditë më parë, ndërkohë që policia nuk ka dhënë asnjë version zyrtar. Sipas ekspertëve, shpërthimi ka dëmtuar rëndë bazën e kryqit, rreth 60 cm nga toka dhe afër tij janë gjetur fitila kapsollash, çka e vërteton përdorimin e eksplozivit.

Përfaqësia e Elbasanit ka vendosur ta denoncojë rastin edhe për mediat, duke e cilësuar një akt vandal ndaj ortodoksisë, pas asaj të kishës së Valëshit. Të shqetësuar, ata kanë mbërritur te kryqi, duke theksuar se vendosja e tij, qysh në vitin 2005, është bërë në bazë të të gjitha rregullave dhe në atë vend ka qenë një kishë. Madje, për këtë arsye ndizen edhe qirinj. Dy priftërinjtë që zbuluan kryqin e dëmtuar, tregojnë se fare rastësisht, teksa udhëtonin për në Tiranë, kanë vënë re zgavrën e krijuar dhe më pas janë marrë të gjitha masat për ta riparuar, që kryqi të mos rrëzohej. Atë Irine Gega, prift i manastirit të Shën Johan Vladimirit, ka qenë një nga personat që kanë zbuluar dëmtimin e kryqit dhe rrëfen dyshimet e tij. “Sapo pamë pjesën e poshtme të dëmtuar, menjëherë ndaluam e njoftuam policinë dhe morëm masat për ta riparuar kryqin. Nuk kam një mendim se kush e ka dëmtuar. Kemi njoftuar organet kompetente. Erdhën dhe bënë verifikimin në terren dhe më pas e riparuam, pasi rrezikonte të rrëzohej”, është shprehur prifti. Ndërkohë, prifti tjetër i kësaj zone, Stavri Çipi, shprehet se “edhe dy-tre vjet më parë, ky kryq është goditur, por sulmi i kësaj here ka qenë i madh dhe mund të ishte rrëzuar”. Sipas tij, ky është simbol i besimit ortodoks me të gjitha lejet e duhura nga këshilli i komunës dhe është miratuar nga prefektura. “Ne jemi të shqetësuar, pasi ky sulm është në vazhdën e disa veprimeve që po bëhet ndaj vlerave shpirtërore të besimit ortodoks, pas asaj të kishës së Valësh. Është një vazhdë që nuk e dimë nga kush kryhet dhe nuk mund ta vëmë gishtin tek askush. Ne jemi të shqetësuar dhe kërkojmë zbulimin e autorëve nga organet e rendit, pasi janë vlera të besimit ortodoks. Me këto sulme prishet edhe harmonia fetare”, është shprehur Stavri Çipi. Ndërkohë, banorët e zonës deklaruan se kryqi është larg nga shtëpitë e tyre dhe nuk mund ta kontrollojnë. Askush prej tyre nuk ka dëgjuar shpërthime apo ka parë lëvizje të dyshimta. Gjithçka mund të ketë ndodhur gjatë natës.

Hetimet e policisë

Edhe pse është tentuar komunikimi me Policinë e Shtetit për rastin në fjalë nuk ka pasur asnjë komunikim zyrtar. Zëdhënësja e Drejtorisë së Policisë, Valbona Begu, deklaroi se vetëm që “me çështjen është marrë komisariati”. Ndërkohë, sipas deklaratës së priftërinjve, policia, gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes ka gjetur pjesë fitili, që mendohet të jetë përdorur për shpërthim. Ndërkohë, specialistët e policisë nuk kanë dhënë asnjë variant për këtë hetim. Sipas të dhënave, dyshohet edhe që pjesa e hekurt është goditur me saldues dhe është shkrirë duke u thyer. Por siç duket, autorët nuk kanë arritur ta çojnë deri në fund misionin e tyre, ndoshta edhe për faktin se hekuri ka qenë i trashë. Dyshimet për këtë sulm janë hedhur edhe te vjedhësit e skrapit. Kryqi ka një sasi të madhe hekuri. Megjithatë, policia pritet të analizojë të gjitha pistat për të dalë në një konkluzion dhe për të pasur të dyshuar konkretë mbi këtë ngjarje.

Gazeta “Shqip”

Top Channel