Berisha miraton planin e Bashës

14/02/2013 00:00

Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi Planin Rregullues të Tiranës, i
cili në muajin dhjetor kaloi në Këshillin Bashkiak të Kryeqytetit
shoqëruar nga debate të ashpra mes opozitës dhe maxhorancës.

Për Kryeministrin Sali Berisha, ky plan i jep fund betonizimit të kryeqytetit për t’ia kthyer atë qytetarëve.

“Vitet e fundit, Planin për të cilin kishte nevojë jetike kryeqyteti e bllokoi tërësisht babëzia. Ky plan sot ka vendosur në epiqendër qytetarin e Tiranës, hapësirat e tij jetësore, mjediset e tij social-kulturore, rrugët e tij. Plani i jep fund praktikës primitive të ndëshkimit të qytetarëve”, tha Berisha.

Një nga pikat më të nxehta të debatit mbi Planin Rregullues të Tiranës kanë qenë hapësira e gjelbra, që sipas ekspertëve ky plan i zhduk, duke i transferuar në periferi. Sipas Kryeministrit Berisha, plani parashikon jo vetëm ndërtimin e parqeve në periferi, por edhe të lulishteve dhe hapësirave të gjelbra në brendësi të blloqeve të banimit. Por Berisha nuk dha detaje se si dhe se ku do te gjenden keto hapesira.

“Në rast se vështroni ato harta e gjeni Tiranën të lidhur me mushkëritë e saj, parqet përreth janë bërë pjesë e pandarë e kryeqytetit. Sikundër në cdo bllok ndërtimesh në përputhje me këtë plan do të ketë lulishte, do të ketë gjelbërimin, plani i jep fund njëherë e përgjithmonë ndërtimit të pallatit të tipit, pallati në pajë”, tha Berisha.

Miratimi i këtij plani shoqërohet edhe me ndryshime ligjore që parashikojnë kalimin e kompetencave të Këshillit të Territorit tek kryetari i Bashkisë dhe Këshillit Teknik që do të ngrihet për këtë çështje.

“Miratimi i këtij plani do të shoqërohet me ndryshime ligjore dhe vendime të Këshillit të Ministrave në bazë të të cilave cdo kompetencë për territor, e cila ka qenë më parë e Këshillit Kombëtar të Rregullimit të Territorit do t’i kalojë direkt kryetarit të Bashkisë dhe Këshillit Teknik që do të krijohet pranë bashkive për këtë qëllim”, tha Berisha.

Nje vendim ky qe ekspertet e konsiderojne absurd dhe qe perqendron vendimmarrjen tek vetem kryetari i Bashkise dhe ekspertet e tij dhe qe krijon hapesira per abuzim pasi gjithçka do te kryhet pa oponence dhe ku askush nuk do te mbaje pergjegjesi ligjore.

“Janë gati 500 firma ndërtimi për të filluar ndërtimet e reja në qytet, në këtë qytet të mbingarkuar dhe të zënë për fyti. Lajmi i zi për qytetarët është se përfundimisht parqet dhe lulishtet e dënuara me beton nga Bashkia kur e hartoi këtë plan, edhe sot Kryeministri vendosi që të betonizohet. Kryeministri tha se do të bëhen ndryshime në ligjislacionin urban që t’i përshtatet planit, në një kohë kur duhet të ndodhë e kundërta. Plani është shoqëruar me një raport vlerësimi mjedisor. E dini cili është autori? Mjafton të shohësh kopertinën e faqes së parë të raportit dhe sheh se aty firmos profesor asistent doktor, Jamarbër Malltezi. Ky zotëri është konsulenti që duhet të bëjë oponencën për planin që ka bërë Berisha me të vetët”, tha Artan Lame.
   
Reagojnë hartuesit e planit: Arritja më madhore në 23 vitet e fundit

Pas deklaratave të Artan Lames për planin e ri rregullues të Tiranes reaguan Jamarbër Malltezi, Lirim Selfo, Sulejman Sulçe, Sazan Guri dhe Romeo Hanxhari.

Në një deklaratë për shtyp ata thonë se, ky plan është rezultat i punës njëvjeçare i mbi 80 ekspertëve që përfaqësojnë ajkën e ekspertizës, si dhe palcën e shqetësimit qytetar të Tiranës, të cilët u përfshinë në grupin teknik dhe grupin strategjik për hartimin e planit.

Ata thone se edhe zoti Lame gjithashtu ka qenë një nga pjesëtarët e Grupit Strategjik, duke u bërë një ndër kontribuesit pasi sugjerimet e tij janë mbajtur shënim dhe janë shqyrtuar gjatë hartimit të planit.

Sipas tyre, plani ka të mirën e madhe që synon pesëfishimin e sipërfaqeve të gjelbra të Tiranës dhe shpall zonat e ndotura me mbetje të rrezikshme që kërkojnë rehabilitim mjedisor, duke e kthyer Tiranën në një qytet të shëndetshëm dhe miqësor me mjedisin.

Ndërsa për vlerësimin Strategjik Mjedisor, ata thonë se, ai u hartua nga 5 ekspertë ndër më të mirët në vend, me titujt më të lartë akademikë të Shqipërisë.

Sipas tyre, qoftë Plani Rregullues, qoftë Vlerësimi Strategjik Mjedisor mund të mos jenë perfekt, por janë absolutisht arritja më madhore për zhvillimin e ndershëm të Tiranës në 23 vitet e fundit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA