Rama: Do rilindim shëndetësinë

06/02/2013 00:00

Partia Socialiste ka hapur tryezën e diskutimit, për kapitullin e Rilindjes shqiptare për shëndetësinë, e vlerësuar prej forcës më të madhe opozitare si sfida më e madhe e saj në qeverisje.

Me bindjen se, sapo të vijë në pushtet në 23 qershor, reformat më radikale do t’i përkasin pikërisht këtij sektori, kryetari i opozitës, Edi Rama, tha se do të bëhet e mundur mbyllja e një epoke, asaj të dështimit të këtij sektori, dhe hapja e një epoke të re, ku shteti do të blejë shërbimet edhe për të pamundurit.

Duke analizuar sistemin aktual shëndetësor, Rama tha se skema ka dështuar, pasi në 100 lekë kujdes shëndetësor, vetëm 33 lekë vijnë nga taksat, ndërsa 60 lekë vijnë nga njerëzit në nevojë për kujdes shëndetësor.

Kjo do të thotë, tha ai, se ky sistem bazohet në xhepin e individit dhe rëndon mbi të dobëtin.

“Ne kemi vendosur që t’i japim fund këtij sistemi, që është provuar dhe stërprovuar si sistem i dështuar. Sistemi i ngritur mbi sigurimet shëndetësore, i vitit 1995, dhe të ndërtojmë një sistem të ri, ku të jetë shteti, që ta blejë shërbimin dhe pastaj, përmes një institucioni të ri, që ne do të themelojmë dhe që quhet Shërbimi Kombëtar Shëndetësor, ta ofrojë atë për të gjithë qytetarët në nevojë për kujdes shëndetësor. Nuk do të kërkojmë më që, ose sigurohu, ose lutu që të mos sëmuresh, se po nuk pate lek mund të vdesësh. Por, do të ofrojmë shërbim shëndetësor për të gjithë”, tha Rama.

Rama tha se janë 1 milionë shqiptarë të pasiguruar, të papunë dhe që iu duhet të paguajnë tarifa disa herë më të larta se vetëm disa vite më parë. Edhe ata që paguajnë sigurim shëndetësor, vijoi ai, nuk marrin shërbimin e merituar. Kryetari i opozitës premtoi themelimin e shërbimit universal shëndetësor.

Teksa konsideroi vendosjen e TVSH-së mbi barnat, si taksën e qeverisë mbi sëmundjen, ai tha se ajo nuk është 10%, por shumë më tepër, për shkak të nënçmimit të lekut ndaj euros.

Kreu i opozitës gjithashtu premtoi të shfuqizojë ligjin e ri për sigurimet shëndetësore, që hyn në fuqi në 25 mars, pasi ai do të rëndojë mbi të vetpunësuarit në biznesin e vogël, në mënyrë të papërballueshme.

“Dhe e dini se çfarë nënkupton kjo? Ta rëndojë biznesin e vogël në tërësi. Kjo nuk do të ndodhë, sepse qeveria nuk do të votohet më 23 qershor dhe ligjin e 25 marsin ne do ta palosim, bashkë me gjithë legjislacionin për shërbimin shëndetësor në Shqipëri, dhe do t’ia lëmë të shkuarës për të hapur një kapitull të ri, me një legjislacion të ri”, përfundoi Rama.

Top Channel