Të kujtosh a të harrosh? Kjo është çështja! Në Ditën Ndërkombëtare të Kujtesës

04/02/2013 00:00

MONIKA SHOSHORI STAFA – “The Flat”. “Apartamenti”. Ky është dokumentari
që iu paraqit publikut shqiptar prej Ambasadës së Izraelit dhe Akademisë
së Filmit dhe Multimedias “Marubi”, në Ditën e Kujtesës, në shenjë
homazhi dhe reflektimi për fatin e mbi gjashtë milionë hebrenjve gjatë
Luftës së Dytë Botërore.

Dokumentari është prodhuar në vitin 2011 dhe është cilësuar nga e përditshmja “Haaretz” si “një nga filmat dokumentarë më të suksesshëm të Izraelit në të gjitha kohërat”. Në të vërtetë, pavarësisht se producenti Arnon Goldfinger është hebre, gjuha e filmit gjithashtu në pjesën më të madhe hebreje dhe ngjarja po ashtu më shumë se gjysma hebreje, filmi është produksion izraelito-gjerman, me mbështetje të disa rrjeteve televizive europiane: ndër të tjerë dhe të rrjeteve austriake dhe franceze. Dhe kjo është e para gjë që të sjell ndërmend ndryshimin e kohërave: kinematë e dy popujve që i mbijetuan doktrinës së urrejtjes së shekullit, në përgjegjësi ndaj njëri-tjetrit, gjejnë tashmë fuqinë për të dëbuar të shkuarën dhe për të rikrijuar një histori që mund të dëshmojë sa gjithë historia e Holokaustit vetë.

Arnon Goldfinger, regjisori dhe producenti i filmit, e ka ndërtuar dokumentarin e tij mbi një ngjarje vetjake. Pak kohë pas vdekjes së gjyshes, regjisori dhe të afërmit vendosen në apartamentin e tij, me qëllim që të vlerësohet trashëgimia prej saj. Bagazhe që hidhen si mbeturina nga kati i katërt, libra që nxirren në shitje për disa qindra shekel, koleksione bizhuterish dhe sendesh të tjera, dhe në fund dhjetëra valixhe që dalin si prej një kohe të frikshme nga dollapë gjysmë të fshehtë, mbushur me letra, kartë-postare, bileta udhëtimi, axhenda udhëtimesh, që, befasisht, çojnë tek një fakt tronditës: një familje hebreje ka pasur lidhje me një eksponent të policisë politike naziste, Gestapo, madje me detashmentet më represivë të saj, SS dhe SD; për më tepër që njeriu i kontaktit rezulton të jetë oficeri aristokrat herbrej-gjerman, nazist në shkallën më të lartë të hierarkisë, Edler von Mildenstein, me vartësi të drejtpërdrejtë nga qeveria e Führer-it.

Kanë kaluar më shumë se 60 vjet nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore dhe askush nuk di asgjë për këtë histori.

Regjisori Arnon Goldfinger është brezi i tretë i pasluftës, ai vetë gjithashtu është prindëruar dhe ka pasardhës.

Për të rindërtuar historinë, që simbolikisht nis me hedhjen tutje të së shkuarës si mbeturinë, me një ankand mobiliesh që reduktohet në 200-210 dollarë, regjisori duhet të këshillohet me epistolarin e gjyshes, mijëra e mijëra letërkëmbime në tri kohë: para, gjatë dhe pas luftës antifashiste. E para gjë që të vjen në mendje në këtë nyje të dokumentarit është pyetja sa shqiptarë kanë arkiva familjarë, sa janë shqiptarët që kanë kulturën e dokumentimit e të certifikimit. Krahasimi është i pamundshëm, sepse është pothuajse krejt e paimagjinueshme që një familje shqiptare, të ketë një mbulim aq të përditshëm të veprimtarisë së vet me letërkëmbim me miq dhe të afërm, deri në atë shkallë që pikërisht prej letërkëmbimit të nisë një hetim tejet i vështirë, që do të çojë në pyetje më të vështira.

Ndërsa pamjet e dokumentarit pasojnë njëra-tjetrën, njëra pyetje provokon tjetrën dhe investigimi gazetaresk shkon më tej. Pse gjyshja nuk ka folur asnjëherë për lidhjet e saj me aristokratin hebreo-gjerman Von Mildenstein? Çfarë është vetë ky Mildestein-i? Një gazetar sikurse dihet në përgjithësi, i dërguar në Palestinën e paraluftës, apo një misionar? Një aristokrat gjerman apo një shërbyes i doktrinës së “zhdukjes përfundimtare”? Dhe për më tepër, çfarë ka qenë gjyshja, Gerdha: një mike, një e dashur apo dhe një bashkëpunëtore e SS-it aristokrat, hebre dhe gjerman? Në këtë pikë mësohet se sa e ndërlikuar është historia e Holokaustit. Dikur ishte shumë e thjeshtë: të gjithë gjermanët ishin nazistë, të gjithë gjermanët ishin kriminelë; ndërkaq, të gjithë hebrenjtë ishin viktima dhe të terrorizuar. Por tani kohët kanë ndryshuar. Ky përfytyrim është tejkaluar. Siç ka pasur Schindler-ë gjermanë që kanë rrezikuar vetveten në zemër të Reich-ut, ashtu ka pasur dhe hebrenj që kanë pasur lidhje me institucionin më të frikshëm të nazizmit; Gestapon dhe policinë politike sekrete.

Duke parë dokumentarin e Arnon Goldfinger, që është ndërtuar në formën e një anketimi të të gjithë të mbijetuarve dhe trashëguesve të gjyshes hebreje dhe të mikut të saj nazist, më së pari kuptohet se sa e rëndësishme është kujtesa e shkruar. Epistolari i gjyshes së vdekur është një udhërrëfyes jo dhe aq lehtësues për nipin regjisor, i cili duhet të zgjidhë vazhdimisht dhjetëra enigma, por, gjithsesi, duke zgjidhur një enigmë pas tjetrës, mund të arrihet deri-diku në sqarimin e një historie, por jo deri tek një sqarim përfundimtar, për më tepër kurrsesi jo deri tek një histori e Holokaustit, e cila, me sa duket, nuk do të jetë e mundshme të shkruhet kurrë. Kërkimit të nipit regjisor, gjyshja i ka lënë në letrat e saj shenja të dukshme trafiku, Fondacioni “Spielberg” ka ofruar bashkëpunimin e tij, po ashtu dhe Instituti i Kujtesës “Yad Va’shem”. Por megjithatë rruga e kërkimit është tejet e ndërlikuar dhe harresa ka bërë të vetën.

Njerëzit nuk kujtojnë apo nuk duan të kujtojnë? Njerëzit duan të hedhin prapa ashtu si bagazhet e gjyshes edhe kujtimet dhe jetët e tyre të ndërlikuara? Apo vërtet harresa ka varrosur tashmë pjesën më të vështirë të historisë, pjesën që të shpie tek krimi, për më tepër tek një krim kolektiv siç ishte judeofobia?

Për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve, na e lehtëson arsyetimin fakti që dokumentari është bashkëprodhim izraelito-gjerman. Kjo do të thotë se tashmë ekziston mirëbesimi mes palëve të lënduara e të armiqësuara rreptë në luftë për të punuar bashkë. Pak nga pak mësohet se Von Mildenstein për trashëgimtarët e tij në Gjermani ka qenë një gazetar lufte, shumë-shumë një misionar për të kuptuar se si dhe sa mund të priteshin hebrenjtë në Palestinë, por kurrsesi një oficer SS, për më tepër në krye të hierarkisë. Ndërsa trashëgimtarëve të gjyshes Gerdha, nipërve, kushërinjve, gjithë farefisit, as që u ka shkuar ndër mend se mund të ketë pasur ndonjë lidhje mes tyre. Është një histori që shtjellohet fletë pas flete, më saktë intervistë pas interviste.

Hetimi zhvillohet tek “të sajtë”, të gjyshes, dhe tek “të tijtë”, hebreut SS Mildenstein: në Izrael, në Gjermaninë e bashkuar tashmë: në hebraisht dhe anglisht, herë-herë edhe gjermanisht. Goldfinger është narratori që thjesht ndërlidh episodet mes tyre, ndërsa Axel Mulburg është i vetmi aktor në dokumentar, nëse mund të quhet i tillë, si lexues i letrave të dy palëve.

Pse kjo histori ka mbetur e pashqiptuar deri më sot? Pse gjysha nuk i ka folur askujt për historinë e saj, por, në të njëjtën kohë, ka pasur kujdesin që të ruajë gjithë gjurmët që të çojnë tek e vërteta, duke mos censuruar asnjë fletë nga ditari i saj, nga memoriet e saj, nga letrat, fotot e panumërta, kalendarët? Kjo është pyetja themelore e dokumentarit, e cila, tek e fundit, shprehet në një formë dhe më të ashpër: Të kujtosh apo të harrosh? Kjo është çështja, kjo është dilema e kohës së sotme. Dhe prandaj ky dokumentar paraqitet në Shqipëri pikërisht në Ditën e Kujtesës.

Të kujtosh?! Po çfarë të kujtosh?! Është një histori e tmerrshme, për implikimin me të cilin askush jo vetëm që nuk do të të kuptonte, por as do të të falte. Të harrosh?! Por si mund të harrosh! Kjo mund të të ndodhë dhe ty nesër. Kjo mund t’u ndodhë edhe nipërve të gjyshes së përcjellë në botën tjetër. Atëherë duhet gjetur zgjidhja: gjurmët e shkruara duhet të të orientojnë drejt së vërtetës dhe kujtimet e trashëgimtarëve dhe të të mbijetuarve duhet ta plotësojnë dhe saktësojnë atë. Pikërisht pse ka ardhur një epokë e tillë, pse ka lindur një brez i tretë apo dhe i katërt, që nuk e ndjen veten as fajtor dhe as përgjegjës për krimet e luftës, por as dhe viktimë dhe të lënduar prej saj, pra, pikërisht pse sot njerëzit guxojnë të flasin, guxojnë më shumë se gjyshja dhe Von Mildenstein, pyetja merr përgjigje pozitive: Po, duhet të kujtojmë, duhet t’i rindërtojmë të gjitha historitë e së shkuarës, jo për të amnistuar dikënd apo për të lartësuar një tjetër, jo për të gjetur armikun dhe të mundurin, jo për të kërkuar dëmshpërblim, por sepse nipërit duan të dinë si ka qenë e shkuara e prindërve të tyre.

Gazeta “Shqip”

Top Channel