Qeveria rrëzon buxhetin e 2013

04/02/2013 00:00

Vetëm një muaj pas miratimit në Kuvend, buxheti i shtetit për vitin 2013
është rrëzuar zyrtarisht. Brenda një kohe rekord Qeveria ka ndryshuar
treguesit më të rëndësishëm të draftit duke devijuar nga varianti që
mbrojti në Kuvend vetëm një muaj më parë, në dhjetor të vitit të kaluar.

Ndryshimet nisin me shifrën e borxhit. Në ligjin për buxhetin e shtetit, kufiri i borxhit për vitin 2013 është vendosur 62.6 për qind e Prodhimit Kombëtar. Madje në atë kohë, Kryeministri dhe ministri i Financave u zotuan publikisht se ky kufi nuk do të shkelej. Por në programin ekonomik dhe fiskal, të publikuar vetëm pak ditë më parë, Ministria e Financave thotë se borxhi publik në fund të vitit do të shkojë gati 64 për qind ose me saktë 63.8 për qind e Prodhimit Kombëtar.

Heqja e kufirit ligjor prej 60 për qind, në dhjetor të vitit të kaluar, ka asgësuar cdo barrierë që ndal rritjen e detyrimeve të qeverisë. Në vetëm pak ditë kufiri i borxhit u rrit me 1.2 pikë përqindje ndaj Prodhimit Kombëtar dhe në fund të këtij viti do të jetë 4 për qind më e lartë se niveli 60 për qind, pavarësisht parlajmërimeve të forta të Fondit Monetar dhe Bankës Botërore për të mbajtur nën kontroll financat publike.

Por treguesi i borxhit nuk është i vetmi që përkeqësohet. Qeveria ka korrigjuar në ulje edhe shifrën zyrtare të rritjes ekonomike për vitin 2013, nga 4 për qind që është në buxhetin e miratuar një muaj më parë, në 3.1 për qind. Këto janë sinjalet e para zyrtare se situata ekonomike do të jetë më e rënduar.

Rreziku është që deri në fund të vitit shifrat të korrigjohen sërish me përkeqësim, sikur ndodhi vitin e kaluar kur shifra e rritjes ekonomike nga 4.3 për qind përfundoi në vetëm 1.5 për qind, ndërsa borxhi nga 58 shkoi në 61.4 për qind e Prodhimit Kombëtar.

Top Channel