“Në 23 qershor, me strategjinë e 2011-ës”

04/02/2013 21:50

Pasditen e së hënës PD mblodhi drejtues të lartë të saj dhe kryetarët e degëve të kësaj force politike për organizimin e zgjedhjeve të 23 qershorit.

Pas takimit që zgjati mbi tre orë kryeministri Berisha tha për mediat se mbledhja ishte tërësisht për çështje të brendshme organizative të kësaj force politike.

Berisha zbuloi vetëm një detaj të fushatës së demokratëve në 23 qershor, atë se do të synohet të fitohet si në bashkinë e Tiranës në 8 maj të 2011-ës.

“Takimi ishte me karakter teknik dhe organizativ për të gjitha degët. Në epiqendër ishte programi i përdorur për fitoren në Tiranë në 2011. Programi që përmbysi murin e bashkisë do të shembë edhe murin e bllokimit”, deklaroi Berisha.

Më herët gjatë ditës, në mbledhjen e grupit parlamentar, kryeministri përcaktoi përgatijen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe vazhdimin e reformave, si dy detyrat kryesore të mazhorancës gjatë muajve që i paraprijnë 23 qershorit.

Edhe këtu ai tha se, synimi është fitorja e një mandati tjeter qeverisës, që sipas tij nuk do të jetë aq i vështirë kur përballë është një kundërshtar, veprimet e të cilit janë kaotike dhe aspak të besueshme.

“Ne kemi të gjitha kushtet, infrastrukturën dhe vullnetin e hekurt për të zhvilluar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Natyrisht, konstatojmë se zoti Rama po përgatit justifikimin e humbjes së radhës. Tani për të dalë përpara rezultatit, shpalli se do të marrë 72 deputetë dhe hoqi Dash Pezën e mori Alfred Pezën. Të gjitha këto janë një kaos i tij i vërtetë”, tha Berisha.

Shefi i qeverisë shtoi se reformat e kabinetit të tij, për të cilat priten propozime të reja, nuk do të ndikohen nga fushata elektorale apo nga ajo që e quajti “panik të kampit opozitar”.

Top Channel