Itali, dy shqiptarë arratisen nga burgu

02/02/2013 15:20

Dy shqiptarë të dënuar në Itali kanë sharruar hekurat e qelisë dhe kanë zbritur me çarçaf në tokë, për t’u arratisur më pas nga burgu i Parmës.

Lajmin e kanë bërë të ditur autoritetet italiane, sipas të cilave arratisja është realizuar rreth orës 6:30 të mëngjesit të së shtunës.

Sipas burimeve, arratisja ka ardhur pasi të premten në mbrëmje dy të dënuarit ishin takuar me dy të afërm në ambjentet e burgut, të cilët dyshohet se i kanë pritur jashtë kompleksit për t’i ndihmuar gjatë arratisë.

Policia italiane e burgjeve dhe forca të tjera policore janë vënë në kërkimë të tyre në shkallë vendi dhe kanë ngritur postoblloqe të shumta.

Të arratisurit janë Valentin Frokaj dhe Taulant Tomja, të moshave 35 dhe 29 vjeç dhe akuzohen për krime të lidhura me grabitje dhe drogë. Njëri prej tyre kishte tentuar arratinë edhe njëherë tjetër.

Autoritetet kanë deklaruar se arratisja e dy shqiptarëve është favorizuar nga mungesa e theksuar e personelit nëpër burgje, plot 7.500 njësi në nivel kombëtar, 650 prej të cilave vetëm në rajonin Emilia Romanja, ku ndodhet dhe qyteti i Parmës.

Në dy vitet e ardhshme personeli do të reduktohet me 2 mijë njësi të tjera për shkak të shkurtimeve. Ndërkohë, një problem tjetër mbetet edhe mbipopullimi i burgjeve.

Top Channel