Në një fjalim të mbajtur në Konferencën e Mynihut mbi Sigurinë, Përfaqësuesja e Lartë, Catherine Ashton i ka cilësuar dy javët e ardhshme kyçe për dialogun e Brukselit.

“Në punën tonë, ne kemi udhëtuar në Ballkan në mbështetje të dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit dhe unë dua të çmoj trimërinë e atyre në Prishtinë dhe në Beograd që kanë lënë mënjanë historinë për t’u bashkuar. Dua t’ju them të gjithëve se dy javët e ardhshme do të jenë thelbësore”, iu drejtua Ashton të pranishmëve në konferencë.

Më 6 shkurt në Bruksel, Ashton pritet të ndërmjetësojë takimin e parë mes presidentëve të Kosovës dhe Serbisë, Jahjaga-Nikoliç, dhe atë të radhës mes kryeministrave, Thaçi-Daçiç, më 22 shkurt.

Më herët, nëpërmjet një komunikate të shkurtër për shtyp, zyra e zonjës Ashton njoftoi për ftesën që u ka drejtuar presidentëve të Kosovës dhe të Serbisë, për takimin e 6 shkurtit.

“Përfaqësuesja e Lartë Catherine Ashton ka ftuar në Bruksel presidentin Nikoliç dhe presidenten Jahjaga për takim më 6 shkurt. Takimet zhvillohen në kuadër të normalizimit të marrëdhënieve mes dy palëve”, thuhej në komunikatë.

Ky takim pritet të shënojë shtrëngimin e parë të duarve mes presidentëve të Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut të Brukselit. Ndërkohë që kryeministrat e dy vendeve vijojnë bisedimet e përmuajshme të cilat kohët e fundit janë përqëndruar në zgjidhjen e çështjes së veriut të Kosovës.

Top Channel