3 ligjet, PS nuk ndryshon qëndrim

01/02/2013 00:00

Deputeti Pandeli Majko ka konfirmuar nga Korça se Partia Socialiste nuk do të ndryshojë qëndrim në lidhje me tre ligjet.

Vizita e komisionerit për Zgjerim, Fyle në fillim të javës në Tiranë, duket se nuk do ta bëjë PS të ketë një tjetër qëndrim në lidhje me këto tre ligje, miratimi i të cilave, thotë Majko, është i lidhur me çështjen e qarkut të Fierit.

“Besoj që qëndrimet tona janë shprehur. Nuk ka asnjë kosto elektorale në këtë histori, që ka filluar nga mazhoranca. Nëse sot kryetari ilegal i qarkut Fier del në konferencë për shtyp dhe jep dorëheqjen nga posti, atëherë proçesi është i zhbllokuar”, deklaroi Majko.

Edhe pse kreu i PBDNJ, Vangjel Dule nuk iu përgjigj ftesës së kreut të opozitës për të marrë pjesë në tryezën e partive opozitare, Majko e ka konsideruar Dulen një mik të mirë

Argumenti se, një pjesë të mirë të aktivitetit të tij politik zoti Dule e ka kaluar në tryezat e opozitës, e bën Majkon të besojë se edhe në vazhdim PBDNJ do të jetë afër PS.

Zëdhënësi i Komisionerit për Zgjerim, Peter Stano konfirmoi vizitën e Stefan Fyles ditën e hënë në Tiranë, për të biseduar me partnerët e tij në vend.

Në lidhje me mesazhet e kësaj vizite, Stano nuk dha më shumë shpjegime se në deklaratën e shkurtër të Komisionerit në faqen e tij Twitter.

Top Channel