Liria e Medias, Shqipëria zbret 6 vende

30/01/2013 22:45

Kur flitet për lirinë e shtypit në Shqipëri, ajo ka pësuar rënie.

“Reporterët pa Kufij”, në raportin e tyre për lirinë e shtypit në botë, e rendisin vendin tonë në vendin e 102-të, 6 pikë më poshtë se një vit më parë. Ndërsa Kosova renditet e 85-ta, duke u ngritur një pikë.

Shqipëria, bashkë me Malin e Zi, që ka rënë 6 vende më poshtë, dhe veçanërisht Maqedoninë, që ka humbur 22 vende, shënojnë fundin e indeksit për Ballkanin, me po të njëjtat të dhëna të vajtueshme.

“Reporteret pa kufij” flasin për vazhdimin e dukurive të tilla, si proçese gjyqësore ndaj gazetarëve, të bazuara në ligje shpesh të papërshtatshme, dhunë fizike dhe psikologjike ndaj njerëzve të medias dhe kontrolli i ekonomisë gri mbi disa pjesë të rëndësishme të medias.

Të gjitha këto, raporti i cilëson si pengesa ndaj së drejtës për të raportuar lajmin dhe i së drejtës së njerëzve për të marrë informacion. Pas shembujve të rrezikshëm të Hungarisë dhe Italisë, thuhet në raport, parlamenti i Maqedonisë po përgatitet për të ligjëruar censurën.

Për Hungarinë, në raport thuhet se ajo ra në vend të 56, ose 16 pikë më poshtë, pasojë kjo e ligjeve shtypëse ndaj medias, gjë që ndikon mbi mënyrën se si praktikohet gazetaria.

Por më shqetësues, thotë raporti, është rasti i Greqisë, e cila ra në vend të 84, ose 14 vende më poshtë. Në raportin e organizatës thuhet se gazetarët në Greqi janë të ekspozuar ndaj zemërimit popullor dhe ndeshen me dhunë të vazhdueshme nga ana e ekstremistëve dhe e policisë.

Gazetarët dhe fotoreporterët në Greqi, sipas “Reporterëve pa Kufij”, duhet të përballen tani edhe me veprimtarët ultra të dhunshëm neonazistë të partisë Agimi i Artë.

Top Channel