Itali, vdes baristi shqiptar

29/01/2013 01:05

Zgjati gjashtë ditë agonia e baristit shqiptar, Artan Meta, prej gati 25 vjetësh me banim në Itali.

Ai ndërroi jetë në spitalin “Brotzu” të Sardenjës. Një 18-vjeçar, Nicholas Melis, e pati goditur me një shkelm në fytyrë, ndërsa baristi po mundohej ta qetësonte.

I riu kishte filluar të godiste me shqelma makinën automatike të cigareve, sepse nuk kishte marrë kusurin të saktë dhe 45-vjeçari shqiptar e kishte qortuar, pasi po i dëmtonte makinën e lokalit ku punonte.

Por, si përgjigje mori një goditje aq të fortë, sa i shkaktoi një hematomë në kokë, që megjithë operacionin urgjent, nuk i la asnjë shteg për të mbijetuar.

Qyteza Villasor në Sardenjë, ku ka ndodhur ngjarja, është tronditur së tepërmi. Banorët i kanë shprehur solidaritetin dhe ngrohtësinë e tyre familjes së Artan Metës dhe ditën e diel, skuadra vendase e futbollit filloi ndeshjen me një banderolë përshëndetjeje për Artanin, shumë i dashur për ata që e kanë njohur.

18-vjeçari, autor i sulmit, ka kërkuar falje dhe fillimisht u akuzua për lëndime të rënda personale, por tani pozicioni i tij rëndohet dhe akuza është për vrasje.

Top Channel