E djathta franceze shmang copëtimin

15/01/2013 15:50

Një fraksion rebel brenda të djathtës franceze në opozitë deklaroi shpërndarjen e tij dhe rikthimin në gjirin e “UMP”-së (koalicioni i njohur ne frengjisht si “Union pour un Mouvement Populaire”), pas një marrëveshje për mbajtjen e zgjedhjeve të reja për detyrën e liderit të partisë.

Konflikti brenda bllokut më të madh të kaluar në opozitë në zgjedhjet e përgjithshme të qershorit 2012 ndodhi pasi ish-kryeministri Francois Fillon dhe kryetari ende në fuqi i partisë, Francois Cope, deklaruan të dy fitoren në zgjedhjet e mbajtura në tetor të vitit të shkuar.

Rezultatet treguan se Cope arriti të fitonte me një rezultat tepër të ngushtë prej vetëm disa dhjetëra votash, por Fillon sfidoi të dhënat zyrtare, duke u vetshpallur fitues.

Ai formoi një grupim brenda së djathtës, të quajtur “R-UMP”, duke vendosur në rrezik shpërbërje bllokun e madh të së djathtës, të bashkuar në një bllok të vetëm nga disa fraksione nga ish-presidenti Chirac dhe të udhëhequr deri në 2007-n nga ish-presidenti Sarkozy, i dorëhequr më pas nga rolet partiake pasi u votua si kreu i shtetit.

Pritet që lideri i ri i “UMP”-së të zgjidhet së shpejti, pasi u ra dakord për mbajtjen e zgjedhjeve të reja, që do të organizohen nga një komitet i pavarur jashtë instancave partiake.

Duket se njeriu që ndërmjetësoi për të rikthyer paqen në të djathtën franceze ishte Jean-Pierre Raffarin, një ish-kryeministër në kohën e Chirac.

Top Channel