PD: Rama kundër rritjes së pagave

13/01/2013 19:40

“Sot, Edi Rama, pas dy javë pushimesh në resortet më luksoze të botës, u tha shqiptarëve se ai nuk do të rrisë rrogat dhe pensionet, por ngushëlloi 820 mijë qytetarë, punonjës të administratës shtetërore, se PS nuk do të ulë rrogat e tyre”.

“Zoti Rama, që u zotua se nuk do të ulë rrogat, ka urdhëruar deputetët e tij të votojnë kundër rritjes së rrogave dhe pensioneve, çdo vit që janë rritur ato, madje vitin që shkoi e quajti kriminale rritjen e rrogave dhe pensioneve”.

“PD siguron shqiptarët, se ajo do t’i përmbahet me besnikëri premtimit të saj solemn, se do vazhdojë me rritjen e rrogave dhe të pensioneve çdo vit, për sa kohë do ta votojnë shqiptarët”.

“Zoti Rama mashtroi shqiptarët, kur foli  për papunësinë, e cila sigurisht përbën dhe do të përbëjë një problem shqetësues, por është Komisioni Europian, që ka deklaruar se Shqipëria është vendi i vetëm në rajon, në të cilin papunësia jo vetëm nuk u rrit, por u ul progresivisht. Papunësia u ul, sepse Shqipëria këto 4 vjet realizoi mbi 4 miliardë dollarë investime të huaja dhe vetë ka ruajtur investimet buxhetore më të lartat në Europë”.

“Shqipëria, edhe sot, në vitet e krizës ekonomike më të thellë të Europës, ka ruajtur rritjen ekonomike më të lartë në kontinent. Ajo, në 7 vitet e fundit, ka realizuar një rritje në të ardhurat nga taksat dhe tatimet, prej më shumë se 9 milardë dollarë dhe renditet e 4-ta në 150 vende për shndërrimin e rritjes ekonomike në mirëqënie për qytetarët e saj”, tha Gerti Bogdani.

Top Channel