Unifikimi i hapësirës televizive

”Nuk ka asnje pengesë ligjore për realizimin e unifikimit të hapësirës së valëve televizivë mes Shqipërisë dhe Kosovës”.

Drejtuesja e KKRT-së, Endira Bushati, ka dhënë këtë garanci përpara mediave në takim me drejtuesit e Radio Televizionit të Kosovës, të cilet kanë mbërritur në Shqipëri vetëm pak ditë pasi kreu i qeverisëm, Sali Berisha propozoi që RTSH t’u krijojë mundësi në pikat e transmetimit të gjitha mediave të Kosovës, në mënyrë që ato të kenë mundësi të shihen në Shqiperi dhe po ashtu mediat shqiptare të kenë mundësi të ndiqen në Kosovë pa pagesë.

Zonja Bushati tha se Shqipëria ka edhe praktika të tjera në këtë drejtim, të cilat aktualisht janë në zbatim. “Procedurat nuk përbëjnë aspak ndryshime ligjore. Ligji aktual lejon që të krijohet një leje në bazë të një kërkese e një subjektivi TV me valë të përsëritura. Ka disa rregullore që duhen zbatuar, por kemi praktikën e “TV 5” francez në Shqipëri, prandaj nuk ka arsye që ky unifikim të mos bëhet me Kosovën”, deklaroi Endira Bushati, kryetarja e KKRT-së.

Drejtori i “RTK”-së, Bekim Hasani vuri theksin tek përfitimi që do të kenë dy shtetet shqiptare nga mundesia për të ndjekur programet televizive reciproke. Kjo do të ndikojë afrimin mes shqiptareve në dy anët e kufirit, por edhe në të mirë të konkurrencës.

”Është një ofertë programore, që besoj do t’i kontribuojë asaj oferte që ofrojnë edhe media të tjera, në mënyrë që audienca të ketë mundësi të zgjedhë çtë dëshirojë, të ndjekë programet e dëshiruara dhe ka për të plotësuar njëra-tjetrën, në krijim e asaj që e konsiderojmë një interes i përbashkët i një kombi dhe dy shteteve”, tha Hasani.

Drejtuesit e RTK-së, me heret jane pritur nga kryeministri Sali Berisha. Ata thane ne takim se kishin mirepritur propozimin e tij. Kryeministri gjeti rastin qe pas ketij takimi te shprehet se eshte i vendosur ne ate qe ai e cileson si procesi i Bashkimit te Kombit Shqiptar.

”Për të realizuar një gjë, hapi i parë e më i rëndësishëm është t’i besosh asaj dhe unë i besoj më shumë se çdo gjëje tjetër pas Zotit, procesit të bashkimit të kombit shqiptar dhe jam i vendosur e i bindur se çdo ditë shqiptarët do të punojnë kudo që janë. Ky është një proces më i gjerë. Ne jemi një komb që ka më shumë se gjysmën jashtë trojeve etnike, mund të them se ky është vetëm fillimi i një procesi, i cili do të çojë drejt bashkimit të shqiptarëve rreth idealit të tyre kombëtar europian”, u shpreh kryeministri Berisha në këtë takim.

Top Channel