Saranda, edhe më e varfër

31/12/2012 00:00

Banorët në jug të vendit mendojnë se bilanci i këtij viti ka qenë mjaft problematik. Në Sarandë ka rreth 20 përqind më shumë të papunë se një vit më parë, ndërsa regjistrohet të jenë kthyer nga emigracioni disa qindra familje.

Gjendja ekonomike e rënduar reflektohet në nivelin e reduktuar të kërkesës për produkte konsumi dhe rënia me gati 50 përqind e kërkesës lidhur me produktet jashtë shportës.

Tregtarët thonë se ka rënë xhiroja vjetore dhe vështirësohen në shlyerjen e taksave, ndërsa qytetarët thonë se jeta po bëhet gjithnjë e më e vështirë, ndërsa flasin për mundësi të reduktuara punësimi.

Në Sarandë gati 40% e popullsisë jeton falë turizmit, i cili u paraqit me një sezon më të shkurtër se zakonisht këtë vit ndërsa pushuesit gjithashtu shkurtuan kohëqëndrimin mesatar nga 10 në 7 ditë për shkak të krizës ekonomike dhe të ardhurat nga turizmi ranë me 20%.  

Pjesa dërrmuese e emigrantëve të kthyer nga Greqia ende nuk kanë gjetur mundësi punësimi duke rritur në këtë mënyrë edhe më tej nivelin e papunësisë.

Top Channel