Mirëqënia, të parafundit

31/12/2012 00:00

Në vitin 2009, kur kriza përfshiu gjithë Europën Lindore dhe atë
qëndrore Shqipëria ishte një nga tre vendet e vetme të rajonit që nuk ra
në recesion.

Atë vit ekonomia u rrit sipas INSTAT me 3.3 për qind e pasuar nga Kosova me 2.9 për qind dhe Polonia me 1.6 për qind. Edhe pas këtij viti ekonomia shqiptare ka vijuar të mbajë norma pozitive të rritjes duke mos rënë zyrtarisht në recesion. Për Qeverinë ky ka qenë argumenti kryesor për të mohuar krizën.

Një grafik i bazuar në të dhënat më të fundit të Bankës Botërore tregon se si është rritur mirëqënia në rajon pas vitit 2009. Sipas grafikut dy vitet e fundit, 2010-2011, të ardhurat mesatare të shqiptarëve, sipas fuqisë blerëse janë rritur në total me 293 dollarë.

Kjo është rritja më e ulët në Ballkan përvec Maqedonisë. Në gjithë ekonomitë e tjera fqinje rritja e të ardhurave për frymë sipas Bankës Botërore ka variuar nga 300 deri në 820 dollarë, pa përfshirë këtu ekonomitë më dinamike si Turqia apo dhe Polonia që po udhëheqin rritjen ekonomike në Europë.

Të ardhurat për frymë jo vetëm që nuk po rriten më shpejt se vendet e tjera, por shqiptarët po mbeten pas fqinjëve të tyre. Këto janë shifra faktike dhe të matura për vitet që tashmë kanë kaluar. Vlerësimet për vitet në vijim janë edhe më të zymta. Banka Botërore vlerëson se në 2012 Shqipëria ka rënë gati në stanjacion me rritje minimale, 0.8 për qind.  

Ndërsa sipas FMN-së në 5 vitet e ardhshme ekonomia shqiptare do të rritet minimalisht 1 deri në 1.5 pikë përqindje më pak se mesatarja e rajonit. Përballë dy ekonomive fqinje në recesion disavjecar Italisë dhe Greqisë, ekonomia ka humbur rezistencën duke ngadalësuar ritmet në mënyrë dramatike. Ajo çka shifrat e fundit dëshmojnë është se kriza në ekonominë shqiptare vetëm sa mbërriti pak më vonë se në vendet e tjera dhe nëse parashikimet e FMN-së do të vërtetohen, gjasat janë që Shqipëria, e cila pas Kosovës është vendi më i varfër i Ballkanit, të jetë më e goditura.  

Top Channel