Hidrocentrali i Zhurës

28/12/2012 00:00

Riaktivizohet sërish projekti i HEC-it të Zhurës, që parashikohet të
ndërtohet në territorin e Kosovës në veri të Shqipërisë dhe që duket se
do të shërbejë si mollë sherri ndërmjet qeverive të dy vendeve.

Ndërtimi i këtij hidrocentrali shterron vazhdimësinë e lumenjve në territorin tonë e që sipas specialistëve ka impakt negativ, social, mjedisor dhe ekologjik në zonën veriore të Shqipërisë.

“Do të kenë pasoja mjaft të rënda nëse ky projekt do të vazhdojë të zbatohet. Mbi bazë të këtyre lumejve është siguruar ose është ndërtuar edhe jeta e të paktën mbi 17 komunave. Problem tjetër shumë emergjent, shumë i frikshëm është edhe investimi në këtë anë të kufirit ose dhënia nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës i mbi 18 objekteve koncensionare, të cilat një pjesë kanë filluar ndërtimin, një pjesë janë në fazat e ndërtimit. Nëse zbatohet ky projekt, i gjithë ky investim do të shkojë dëm”, thotë Mehmet Hasalami, projektues në fushën e hidroenergjetikës.

Burimet konfidenciale thonë se autoritetet kosovare kanë aktivizuar thirrjet për pjesëmarrje në tender për investitorët, ndërkohë që sipas Hasalamit, kjo është shkelje e marrëveshjeve ndërkombetare për ujërat.

“Në aspektin ligjor, sipas marrëveshjeve ndërkombëtare, të përdorimit të ujërave ndërkombëtare, në mënyrë absolute nuk është e drejtë dhe nuk ka të drejtë asnjë shtet, që të presë ose të ndërpresë rrjedhjen shekullore të lumenjve ekzistues. Eshtë e vërtetë që katër lumenj burojnë nga pellgu mbledhës i Republikës së Kosovës, por që të gjithë këta derdhen në Shqipëri”, thotë Hasalami.

Një debat i tillë kishte nisur edhe para dy vitesh dhe ndërtimi i hidrocentralit të Zhurës ishte lënë pezull, por ai u riaktivizua sërish, ndërkohë që specialistët kërkojnë ndërhyrjen e menjëhershme të dy qeverive për të zgjidhur këtë situatë.

“Unë mendoj se e drejtë do të ishte mirëkuptimi i dy qeverive për të mos krijuar asnjë problem, si matanë ashtu edhe në këtë anë të kufirit, që investimet të gëzojnë shëndetin e plotë, njëkohësisht të mos ketë kontradikta me ose pa dashje për këtë problem që realisht po të shikohet nga specialistë të mirëfilltë të kësaj fushe, në mënyrë absolute ai do të hidhet poshtë. Eshtë një projekt jo fizibël dhe shkakton dëme të pallogaritshme”, thotë Hasalami.

Top Channel