Në ditën e Krishtlindjes, pak para se të futeshin për të ndjekur meshën
që drejtohet nga kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë,
Anastas Janullatos, besimatërve ortodoksë u kërkohej të plotësonin një
anketë në lidhje me deklarimin e tyre fetar.

“Ne plotësojmë një fletë aty dhe deklarohemi që jemi ortodoksë”, tregoi një besimtare. “Ne bëmë regjistrimin emër, mbiemër dhe kaq”, tha një tjetër.

Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë ka kundërshtuar censusin e fundit për regjistrimin e popullsisë, pasi sipas tyre shifra e deklaruar nuk tregon realisht numrin e besimtarëve ortodoksë.

“Ajo është një anketë që bëhet në kuadër të censusit, pasi Kisha Ortodokse mendon se ky proçes nuk është i rregullt dhe i saktë. Aty janë bërë plotësime me laps, ose janë lënë bosh dhe besimi fetar është cilësuar si i parëndësishëm”, tha Jani Meni, punonjës i Kishës Ortodokse.

Të dhënat e fundit të shpallura zyrtarisht nga INSTAT treguan se të krishterët ortodoksë në Shqipëri janë 6.75%. Por Kisha Ortodokse e kundërshton këtë duke u shprehur se metodologjia që u ndoq për regjistrimin e përkatësisë fetare nuk ishte ajo që përdoret ne vendet evropiane.

Top Channel