Miratohet plani urbanistik i Tiranës

24/12/2012 23:00

Mazhoranca në këshillin bashkiak të Tiranës miratoi, pas disa orë debatesh, planin urbanistik të kryeqytetit. Ai u miratua me 28 vota pro, 11 kundër dhe 1 abstenim. Opozita ka
kundërshtuar ashpër, pasi plani, së pari nuk ka respektuar as proçedurën
ligjore.

Ai duhet të ishte publikuar dhe të ishte i aksesueshëm edhe për publikun 60 ditë përpara, ndërkohë që këshilltarët bashkiak, që gjithashtu kanë të detyrueshëm nga ligji të thërrasin seancë dëgjimore për diskutimin e planit, janë njohur me të vetëm në datën 20 dhjetor.

Por, kundërshtimi më i ashpër i socialistëve në këshillin bashkiak të qytetit, ishte alarmi i tyre për zhdukjen e zonave të gjelbëruara të Tiranës, si dhe për dhënien e lejeve të ndërtimit për pallate edhe në lagjet me banesa të ulta, karakteristike të kryeqytetit.

Gjithsesi, kryebashkiaku kundërshtoi. Basha tha se plani parashikon 3m katror hapësirë të gjelbër për çdo person, nga 0.8 që është aktualisht, duke parashikuar si zgjidhje edhe gjelbërimin e tarracave të pallateve.

Gjatë diskutimit të planit urbanistik, kryebashkiaku Basha pohoi dhënien për ndërtim, në masën 35% të territorit në kompleksin Dinamo, një terren i shumëdiskutuar pak muaj më parë.

Më herët, ndërsa Bashkia e Tiranës ishte duke debatuar planin e ri urbanistik, i
ftuar në studion e edicionit qëndror të lajmeve në “Top-Channel”, Artan
Lame, aktivist dhe drejtues i një lëvizje për mbrojtjen e vlerave dhe
trashëgimisë kulturore foli për shkatërrimin e çdo hapësire të gjelbërt
të kryeqytetit dhe i bëri një thirrje qytetarëve që pavarësisht bindjeve
politike, të bashkohen kundër këtij “plani ogurzi”. 

Ilir Paço, “Top-Channel” – Pershendetje zoti Lame dhe mirëserdhet në studio. Ju jeni shprehur një ditë më parë kundër planit të ri urbanistik. Përse e kundërshtoni planin, ose të paktën disa aspekte të tij?

Artan Lame – Qëndrimi ynë mbi planin rregullues nuk është ende i plotë. Të mos harrojmë që materiali i është dhënë shqiptarëve vetëm përpara dy ditëve, por disa konsidetara të para mund t’ua them me përgjegjësi. Ky plan jo vetëm nuk zgjidh problemet për të cilat u votua, por krijon probleme të reja të pazgjidhshme. Mbi të gjitha, një plan i ri realizohet kur planit të vjetër i ka kaluar koha, problemet që ai ngre janë zgjidhur dhe kjo vjen kur kjo nuk ka ndodhur.

Ilir Paço, “Top-Channel” – Na thoni diçka më konkrete? Ku e bazoni këtë qëndrim?

Artan Lame – Do të hyja në gjëra që i interesojnë qytetarit direkt. Në këtë moment do të listoja vetëm disa. Plani praktikisht, e them këtë me përgjegjësi, zhduk gati të gjitha zonat e gjelbëra ekzistuese brenda qytetit.

Përshembull, parku i Namazgjasë, që flitet për ndërtimin e xhamisë së re, një problem që duhet të zgjidhë qytetit, zhduket. Plani në atë lulishte të të gjithë neve, është që të zhvillohen struktura të larta, shërbim për qëllime fetare dhe banim. Citoj planin tek zona e gjelbërt tek Shqupi, anës Lanës dhe Bankës Tregëtare e Pallatit të Oficerëve, planifikohet banim e shërbime publike dhe qëllime fetare, se është katedralja katolike atje, ndërsa lartësia do të jetë deri 9 kate.

Qyteti Studenti, meqë kjo zonë i takon QS-së parashikohet që kjo të trajtohet si zonë për shërbime publike dhe zonë banimi si në fushën e sportit pas “Qemal Stafës”, e vetmja fushë që ka mbetur brenda qytetit, përzgjidhet për banim dhe shërbime publike 9 kate. Zona fusha “Ali Demi”, që një pjesë e saj sapo është bërë park. Zona bëhet banim dhe shërbime publike. Ekspozita “Shqipëria Sot”, e njëjta gjë, parku i lodrave tek “7 xhuxhat”, banim dhe shërbime publike, lartësia 9 kate. Zona tek lulishtja ”Vëllezërve Frashëri”, banim dhe shërbime publike, struktura të larta, zona e “Shkollës së Bashkuar” gjithashtu. Lulishtja tek Biblioteka Kombëtare, ndërtime me lartësi të propozuar nëntë kate. Pas Pallatit të Kulturës, ku Bashkia e Tiranës sapo ndërtoi një lulishte, planifikohet zhvillime të stukturave të larta. Tek Fusha e Aviacionit, zhduket nga zona e listave të gjelbërta, një lulishte madhore e sapopërfunduar.

Ilir Paço, “Top-Channel” – A e shihni të zbatueshëm këtë plan dhe si do ta transformoje ai Tiranën?

Artan Lame
– Lulishtet që kanë shpëtuar, përveçse janë palca historike, kanë shpëtuar pasi në planet rregulluese, ishin përcaktuar në letër se ku është sipërfaqja e gjelbërt dhe ku nuk lejohet të ndërtohet. Ky plan i heq të gjithë këto kufizime, e lë të lirë gjithë qytetin, në diskrecion të Bashkisë, që do e jep ose do nuk e jep lejen në bazë të vullnetit të saj. Zona e tregut tek “Farmacia 10”, zona e “Kinostudios” gjithashtu planifikohen me ndërtime. Kjo listë nuk ka fund deri tani.

Ilir Paço, “Top-Channel” – A i jep zgjidhje ky plan nevojave te kryeqytetit?

Artan Lame – Absolutisht që nuk i jep zgjidhje nevojave të kryeqytetit. Gjëja e fundit, që më dhëmb edhe më shumë, zonat e mbrojtura të qytetit, nga viti 2000, të mbrojtura me VKM që u vunë në mbrojtje përgjatë bulevardit, zona e vilave përgjatë rrugës Elbasanit dhe ato në zonën e bllokut, duke i thënë ndërtuesve që nuk ndërtohet, plani i heq dhe i lejon të bëhen pallate. Plani parashikon që nga 40 hektarë që është sot sipërfaqja e gjelbërt brenda qytetit, të shkojë në 340 hektarë. Në një kohë kur kjo do të bëhet duke hequr këto zona. Të vetmen zgjidhje që jep plani, do të gjelbërojë tarracat e pallateve. Përdorni çdo mundësi për të rritur sensibilitetin, të shpëtojmë qytetin. i bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Tiranës, që pavarësisht bindjeve, të bashkohen për të kundërshtuar këtë projekt.

Top Channel