Mbi 100 milionë euro për 4 HEC-e

21/12/2012 00:00

Ministria e Ekonomisë hapi zyrtarisht ofertat për shitjen e 4
hidrocentraleve të vogla, dy Bistricat dhe Ulëz Shkopetin.

Në tenderin e
parë që përfshinte shitjen e dy hidrocentraleve të Bistricës, u
paraqitën shtatë oferta, por çmimin më të lartë e ofroi kompania ‘Kurum’.

“Oferta financiare e ‘Kurum’ eshte 52 milione euro”, tha zevendesministri i Ekonomise Sokol Dervishaj.

Edhe në tenderin e dytë, atë për shitjen dy hidrocentraleve të tjerë,
Ulzës dhe Shkopetit, çmimi më i lartë ndër 4 ofertat e paraqitura u
ofrua sërish nga kompania ‘Kurum’.

Komisioni po shqyrton dosjet dhe do të shpallë fituesin mbi bazën e një sistemi pikëzimi që përfshin ofertën financiare dhe atë teknike në një proces që zgjat minimumi një javë deri në një muaj pas mbledhjes së ofertave. 4 hidrocentralet e nxjerra në shitje kanë një kapital të regjistruar prej rreth 10.7 miliardë lekësh.

Kjo është hera e dytë kur Qeveria tenton të shesë këto katër hidrocentrale të ndara në dy shoqëri të veçanta. Herën e parë tenderi dështoi sepse në të nuk u paraqit asnjë ofertë, çka e detyroi Qeverinë të ndryshonte Ligjin e Privatizimeve, duke dhënë më shumë garanci për blerësit, përfshirë dhe një çmim më të lartë me të cilin ata do e shesin energjinë e prodhuar tek Korporata Elektroenergjetike. Përfundimi me sukses i tenderit, do t’i mundësojë Qeverisë që në total të arkëtojë rreth 110 milionë euro nga shitja e këtyre hidrocentraleve, para të cilat pritet të përdoren si investime në muajt e parë të vitit të ardhshëm, përpara se vendi të shkojë në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare.

Në Ligjin për Buxhetin e Shtetit, Qeveria i ka dhënë të drejtë vetes që t’i përdorë paratë e privatizimeve pa miratimin e Kuvendit, çka shkaktoi debate të forta mes mazhorancës dhe opozitës.

Top Channel