Fullani, parashikim i zymtë

21/12/2012 00:00

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani deklaroi se kriza ka
thelluar efektete mbi ekonominë shqiptare duke përkeqësuar treguesit e
saj

“Me shumë të ngjarë, rritja ekonomike gjatë këtij viti do të mbetet pozitive, por ndjeshëm më e ulët se vitin e kaluar.Kjo ecuri e ekonomisë është diktuar prej rënies së stimulit fiskal e monetar, si edhe prej ngadalësimit të konsumit dhe të investimeve private”, tha Fullani.
 
Gjatë takimit të fundvitit me shoqatën e bankave, Fullani tha se edhe parashikimet për vitin e ardhshëm nuk janë optimiste.

“Ndikimi i krizës ekonomike globale, vijon të jetë i pranishëm dhe perspektiva për një kapërcim të saj në vitin 2013 mbetet një shpresë e cila nuk mbështetet nga pritjet e institucioneve financiare ndërkombëtare dhe autoritetet publike, veçanërisht për situatën ekonomike në Eurozonë”, tha Fullani.
 
Përballë kësaj situate pesimiste guvernatori u bëri thirrje bankave të çlirojnë kredinë për të ndihmuar gjallërimin e ekonomisë.

“Konstatojmë një rënie të ritmit të kreditimit dhe vijim të rënies së cilësisë së kredisë, veçanërisht për kredinë në valutë. Kjo ecuri ka si shkak kryesor rënien e kërkesës, por edhe një hezitim të qëndrueshëm nga bankat për të kredituar. Kjo prirje duhet të ndryshojë”, theksoi Fullani.

Zoti Fullani tha se dalja nga ky ngërç kërkon që edhe bankat të mbajnë përsipër një pjesë të kostos, që mund të vijnë nga kreditë e këqija, të cilat sipas tij duhen pastruar me shpejtësi.

“Eshtë e nevojshme që strukturat drejtuese në banka dhe aksionerët, të angazhojnë burimet e nevojshme financiare për të përballuar kosto të mundshme shtesë në të ardhmen. Për aksionerët, kjo do të thotë që jo vetëm të pranojnë lënien në bankë të fitimeve të veprimtarisë, por edhe të shtojnë kapital të ri në rast nevoje. Kujtojmë që kjo përfaqëson edhe një prirje më të përgjithshme të industrisë bankare në nivel global”, theksoi Fullani.

Top Channel