Top Show – Bashkimi kombëtar, pse jo?

20/12/2012 00:00

Të ftuar në emisionin e Alban Dudushit kanë qenë Lisen Bashkurti, Kim Mehmeti, Visar Ymeri, Adri Nurellari, Astrit Gashi dhe Gledis Gjipali.

Lisen Bashkurti, Ish-ambasador

“Kryeministri duhet të zbatojë politika dhe jo të bëjë retorika politika. Pikërisht nga ajo deklaratë doja ta nisja, pasi ky 100-vjetor nuk shënoi vetëm kujtimin e Pavarësisë, por edhe atë të ndarjes së popullit shqiptar.

Realisht, nuk ka qenë nacionalizmi shqiptar, ai që ka ndikuar në spastrimet etnike, genocidet etj në rajonin e Ballkanit, pra në vendet e këtij rajoni, por do të doja të shpresoja se 100-vjetor i dytë të jetë ai i reflektimit për të drejtat e kombit shqiptar, për të cilat nuk duhet të frikësohen fqinjët tanë ballkanikë.

Duke qenë se ambasadori i SHBA-së i është referuar drejtpërdrejtë Aleancës Kuqezi në lidhje me retorikat patriotike, do të thoja se ata duhet të mendojnë edhe më mirë faktin se, asnjë veprim në të mirë të kombit shqiptar nuk mund të bëhet pa mbështetjen e fuqive më të mëdha, aleate të Shqipërisë”.

Kim Mehmeti, Drejtues i TCH, Shkup

“Asnjëherë shqiptarët nuk kanë nxitur trazira në Ballkan, asnjëherë nuk kanë ngatërruar patriotizmin me gjakun. Problemi është se “sa neve dimë të mendojmë shqip”, duke nisur që nga Manastiri e deri te shqiptarët, të cilët mendojnë se kanë plane për bashkim, por nëse bëj një pyetje: cilat janë planet e Shqipërisë për shqiptarët e Luginës së Preshevës? Ne shqiptarët nuk duhet të ndihemi inferiorë, pavarësisht se politikanët mundohen të nxisin të mendojmë se jemi pjesë e Europës dhe duhet të bashkohemi në Europë. Gjithsesi, kurrsesi nuk mund të na ndalojnë të mendojmë se jemi shqiptarë.

Dimë se Maqedonia u jep pasaporta maqedonasve për kalimin në Shqipëri, ashtu sikurse Bullgaria maqedonasve. Maqedonia ka plane konkrete për minoritetin maqedonas në Shqipëri, ndërsa ne nuk mendojmë për shqiptarët jashtë territorit të Shqipërisë. Ne nuk jemi shkretëtirë, që të shkojmë nga fryn era, ndaj dhe nuk duhen ndaluar shqiptarët të mendojnë për bashkimin e trojeve të tyre”.

Visar Ymeri, Vetëvendosje

“Ideja dhe vullneti i realizimit të bashkimit të trojeve shqiptarë në një shtet të vetëm, për mendimin tim është një test i sovranitetit të popullit shqiptar dhe atij kosovar. Ne e kemi këtë të drejtë, por nëse e përdorim apo jo, kjo mbetet në duart tona. Për t’u diskutuar është fakti nëse bashkimi do të ishte në përfitimin tonë apo jo, por kjo mbetet për t’u diskutuar në një tjetër temë”.

Adri Nurellari, Sekretar politik PDIU

“Interesin e një kombi e bashkësie e përfaqëson më së miri shtetkombi, jo ndërkombëtarët. Ne kemi shumë të përbashkëta me Brukselin, por kemi edhe gjëra të tjera, që nuk janë në të njëjtin drejtim me ata. Pavarësisht se shumica e shteteve të vogla të Europës janë krijuar nga ndikimet e shteteve të fuqishme, kjo nuk do të thotë që këto shtete t’i nënshtrohen apo të vetëmohojnë identitetin e tyre, këtyre fuqive të mëdha. Ne duhet t’i japim zë, vullnetit tonë të mbyllur në vetvete. Izraeli sot nuk do të kishte ekzistuar pa ndikimin e SHBA-ve në krahun e tyre, por kjo nuk do të thotë se izraelitet nuk mund të vendosin vet për cështjet e tyre”.

Astrit Gashi, kryeredaktor i gazetës “Zeri”

“Qeveria jonë kërkon t’i përdorë dëshirat tona të brendshme si taktika për retorikat e tyre. Për mendimin tim është e frikshme të bashkosh dy vendet më të varfra në Europë”.

Kim Mehmeti, Drejtues i TCH, Shkup

“Elita politike e jona do më shumë pushtetin sesa vullnetin e popullit, ne vërtet nuk kemi udhëheqës të fortë, por kjo nuk do të thotë që të kthehemi në shkretëtirë dhe lodër e superfuqive”.

Adri Nurellari, Sekretar politik PDIU

“Ndërkombëtaret kanë mësuar tashmë se presioni dhe këmbëngulja masive e popullit shqiptar për një bashkim është rritur, nuk është se po ndodh dicka e re, thjesht tashmë kjo dëshirë po kërkohet akoma më shumë për t’u realizuar”.

Lisen Bashkurti, Ish-ambasador

“Ndaj ndërkombëtarëve do të doja të ngrija vetëm një pyetje: “Kur shqiptarët janë bërë shkak i kërcënimeve apo shkeljeve ndaj popujve të tjerë ballkanas?” Faktet e së kaluarës tregojnë se Shqipëria dhe shqiptarët janë bërë gjithmonë fushëbetejë mes fuqive të mëdha dhe synimeve të fqinjëve tanë për territoret shqiptare.

“Nëse Gjermania ka krijuar 2 luftra dhe më pas doli e humbur, duke marrë edhe dënimin e shteteve fituese, nuk di që Shqipëria të ketë shkaktuar ndonjë incident keqdashës ndaj popujve të tjerë. Misioni i bashkimit është vizioni historik i popullit tonë”.

Gledis Gjipali, Lëvizja europiane në Shqipëri

“Ne duhet të reflektojmë mbi politikat e vendeve të huaja, të BE-së apo SHBA-ve. Realisht nuk kemi një projekt për bashkimin kombëtar, pasi projekti nuk mund të lindë nga vetëm një deklaratë patriotike”.

Projekti i Rilindasve shqiptarë ka qenë ai për krijimin e një shteti shqiptar të mirëfilltë, por a ja kemi arritur të plotësojmë dëshirën e tyre në këto 100 vite shtet shqiptar?

S’kemi ende një projekt, por kemi disa aksione konkrete. Si për shembull dhënia e pasaportës.

Gledis Gjipali, Lëvizja europiane në Shqipëri

“Problemi është cfarë do të ndodhë më tej? A janë parashikuar pasojat pozitive apo negative, që mund të sjellë pajisja me pasaporta shqiptare i një numri të madh shqiptarësh, që janë pjesë e minoriteteve në vendet fqinje?

Këto probleme duan studime të hollësishme midis shqiptarëve të Shqipërisë e Kosovës, por edhe atyre që jetojnë të ndarë në vendet e tjera të Ballkanit. Këto aksionet, a kanë një projekt për t’iu paraqitur popullit shqiptar, në mënyrë që të merret më pas edhe mendimi i tyre”.

Astrit Gashi, kryeredaktor i gazetës “Zeri”

“Cili është burimi i kosovarëve për bashkimin kombëtar, gjë që nuk dua ta shoh te ndikimi i Vetëvendosjes apo Aleancës Kuqezi. Për mendimin tim, kosovarët janë të zhgënjyer nga formimi dhe ecuria e shtetit të tyre, nga ndërtimi që i është bërë shtetit më të ri të Europës, ndaj dhe kërkojnë tashmë bashkimin me Shqipërinë, duke menduar se gjërat mund të ecin më mirë.

Ndoshta kjo kërkesë është e parakoshme, pasi krijimi i shtetit të Kosovës ende është në hapat e para”.

Lisen Bashkurti, Ish-ambasador

“Nga Traktati i Parisit e deri te Lisbona, janë 3 hapa kryesore, të cilat duhet t’i ndjekim për të realizuar bashkimin. Nëse plotësohen këto tre hapa, atëherë pse nuk mund ta konsiderojmë këtë një projekt për realizimin e ëndrrës tonë?

1. Krijimi i tregut të brendshëm midis dy kombeve, gjë që synohet të krijohet nga aksionet e deritanishme.

2. Unifikim për legjislacionin dhe institucionet e pavarura të drejtësisë.

3. Projekti i sigurisë e politikës së jashtme, ku synohet bashkimi i dy vendeve, duke qenë pjesë e NATO-s, si dhe krijimi i trupave të përbashkëta diplomatike”.

Adri Nurellari, Sekretar politik PDIU

“Kurrë nuk mund të thuash se, nëse merresh me projekte për bashkimin e dy shteteve shqiptare, ne do të lëmë mënjanë luftën ndaj krimit e korrupsionit, krijimin e një drejtësie të pavarur. Veprimet konkrete në terren, si ndërtimi i rrugës së kombit etj, duhen bërë sërish, por jo me frikën se duke bërë këto gjëra, do të lëmë mënjanë detyra të rëndësishme për funksionalitetin e duhur të shtetit. Retorika politike apo patriotike nuk duhen bërë, pasi nuk zgjidhen gjërat me një shkop magjik”.

Visar Ymeri, Vetëvendosje

“Kosova e Shqipëria kanë komplimentaritet mes tyre, si energjia, prodhimi, bujqësia etj… Nëpërmjet bashkëpunimit dypalësh Kosovë-Shqipëri në sektorin e energjisë, do të kishim një mbulim akoma më të mirë të kërkesave të popujve tanë. Pavarësia e Kosovës nuk është vetëm pavarësi në lidhje me Shqipërinë, por është kundrejt Serbisë. Me statusin aktual të Kosovës, vërtet që nuk mund të bashkohemi me Shqipërinë, por nëse do të kemi një Kosovë sovrane, atëherë do të ishte mëse e realizueshme shkrirja mes dy vendeve tona”.

Adri Nurellari, Sekretar politik PDIU

“Rezoluta came ka ardhur në momentin kur u vu re një klimë e tillë, në të cilën mund të prisnim një përgjigje dhe vullnetin e politikanëve. Sikurse Aleanca ka kërkuar firmat e nevojshme për një referendum për bashkimin me Kosovën, ashtu si kryeministri që ka kërkuar dhënien e pasaportave shqiptare për të gjithë shqiptarët jashtë territorit të Shqipërisë… vetëm kështu, hap pas hapi, mund të krijojmë terrenin e duhur për një projekt të mirëfilltë bashkimi”.

Lisen Bashkurti, Ish-ambasador

“As AK, as Vetëvendosje, dhe asnjë forcë tjetër nuk e ka kauzën e bashkimit të monopolizuar, është verbëri të mendosh për këtë gjë. As PDIU-ja për Camërinë. Të gjitha këto forca duan të shkundin administratat e mykura, që retorikat patriotike i përdorin për shkak të dështimit për plotësimin e detyrave të tyre dhe anëtarësimin në BE, synojnë krijimin e hapave dhe projekteve madhore për realizimin e aspiratës shekullore të kombit shqiptar. Por, këto rezoluta flejnë në sirtaret e disa politikanëve, që nëse do kishin dëshirë të vepronin, do t’i kishin miratuar menjëherë”.

Adri Nurellari, Sekretar politik PDIU

“Rezoluta came ka hapa konkrete dhe nuk do të rreshtim kurrë për zbatimin e saj, pasi njerëzit kanë dhënë solidaritetin e tyre për ecjen përpara të këtyre projekteve”.

Kim Mehmeti, Drejtues i TCH, Shkup

“Shqiptarët deri tani kanë vetëm një projekt mbarëkombëtar, i cili ka ndihmuar në unifikimin e dy kombeve shqiptare, ai është Top Channel, i cili u ka mësuar të gjithëve gjuhën shqipe letrare, përfshi edhe fëmijët e mi.

Definitivisht, ne duhet të ndërtojmë një elitë shkencore, të koordinuar nga Tirana (jo nga Shkupi) dhe të shmangim mentalitetin e principatave, për të menduar shqip, për të mos dëmtuar apo shkatërruar Maqedoninë e fqinjët e tjerë përreth, por të realizojmë më të mirën e mundshme të interesave tona”.

Pse na duhet Bashkimi Europian.

Gledis Gjipali, Lëvizja europiane në Shqipëri

“Ka një keqkuptim për futjen në BE, si shkuarje në Europë, por që realisht është afrim i ndihmës së Europës në shtetin tonë, për të ndihmuar në mirëfunksionimin e shtetit dhe për përmirësimin e mirëqënies së popullit shqiptar.

Futja në BE dhe bashkimi kombëtar janë dy komponentë të ndryshëm, që nuk duhen ngatërruar apo krahasuar me njëri-tjetrin. Ne nuk mund të shkojmë tjetërkund vecse në Bashkimin Europian, me një të ardhme në këto territore që kemi, por duke ndërtuar një shtet më të fortë, si nga drejtësia, ashtu edhe nga ekonomia.

Futja në Bashkimin Europian nuk do të thotë, që do të merren shqiptarët e të dërgohen në Europë, por integrimin e tyre në këtë bashkësi, projekti i së cilës garanton fuqizimin e institucioneve, garantimin e të drejtave të minoriteteve, si ato shqiptare në vendet e tjera, ashtu edhe minoritetet e huaja në Shqipëri”.

Pse bashkimi ynë duket më real në BE, sesa në këto troje ku jemi aktualisht?

Lisen Bashkurti, Ish-ambasador

“Historia e bashkimit të Shqipërisë me Kosovën, nuk ka asnjë lidhje me asnjë ngjarje tjetër në botë, ndryshe nga doktrinat e Napoleonit apo Hitlerit, për bashkimin e të gjitha krahinave, që flisnin respektivisht frëngjisht dhe gjermanisht, në një shtet të vetëm.

Këtu te ne, synohet bashkim nëpërmjet forcimit të institucioneve, krijimin e tregut të përbashkët mes dy vendeve, krijimit të një ekonomie të qëndrueshme, gjëra që kërkohen të gjitha nga Brukseli.

Të gjitha arritjet e Kroacisë në fushën e integrimit shërbejnë si ndihmë për Shqipërinë, duke u bërë si mekanizëm tërheqës për ne në BE”.

Visar Ymeri, Vetëvendosje

“Nuk besoj se bashkimi i Kosovës me Shqipërinë, do të shkaktonte bërjen e hapave mbrapa të Shqipërisë në rrugën e integrimit në BE. Neve na është kërkuar mbajtja e një stabiliteti, i cili dyshohet se do të prishet nëse bashkohemi me Shqipërinë, por pse duhet të ndodhë kjo medoemos?

Mund të them se vendet europiane, në këto vite pavarësi të Kosovës, kanë dhënë kontribut të madh për krijimin e institucioneve tona, ndaj dhe nuk mund të konsiderohet si një veprim i gabuar i tyre, nëse po këto institucione të shkrihen me ato shqiptare dhe të futemi të dy bashkë në BE”.

Lisen Bashkurti, Ish-ambasador

“Mediokriteti më i madh është të mendosh se BE ka të gjithë kolonat në kontroll. BE-ja kërkon vetëm tregun e përbashkët, ndërsa bashkëpunimi mes qeverive tona do të përmbushnin dy kolonat e tjera të kërkuara nga Europa”.

Adri Nurellari, Sekretar politik PDIU

“Fuqia e BE-së në Kosovë, është si në asnjë vend tjetër, pasi ka nën kontroll sistemin e drejtësisë. Nuk dua të flas se si është pranuar Bullgaria, apo vende të tjera si Greqia në BE, në të kaluarën, teksa edhe sot i është dhënë statusi kandidat Serbisë, pavarësisht se ka qenë shkaktari numër një i shfarosjeve anti-shqiptare në Ballkan. Ndaj dhe nuk duhet të jemi të frikësuar, nëse bëjmë kërkesat tona, mjafton të kemi projekte serioze për to”.

Kim Mehmeti, Drejtues i TCH, Shkup

“Politikanët tanë janë tepër të vonuar. Nuk dua që politikanët tanë të varen nga serbët, pasi nacionalizmi shqiptar synon njeriun e lirë, që ecën mbi bazën e respektimit të të drejtave të njeriut, ndryshe nga Serbia, që ka patur një koncept tjetër të nacionalizmit, duke ecur mbi varreza e duke u përlyer me gjak.

Duhet një vetëdije kombëtare, kulturë e nacionalizëm shqiptar, që do të thotë se dua timin dhe respektoj gjithë të huajt, e pasi të krijojmë këtë frymë të përbashkët, atëherë të shkojmë e të kërkojmë bashkimin në Europë.

Cili shtet do të kishte lejuar Manastirin e alfabetit të tij, të qëndronte në troje të huaja, në atë gjendje mjerane sic ndodhet ai i alfabetit shqip në Maqedoni?”

Astrit Gashi, kryeredaktor i gazetës “Zeri”

“Për mendimin tim do të ishte më mirë fuqizimi i shqiptarëve aty ku janë momentalisht, sesa bashkimi i pafuqishëm edhe krijimi i problemeve të tjera. Pse të mos kishte një Universitet shqiptar në Shkup? Mendoj se duhet një bashkërendim dhe përforcim i kushteve aktuale të shqiptarëve në të gjitha trojet, më pas të mendohet bashkimi në një shtet-komb të vetëm”.

Kim Mehmeti, Drejtues i TCH, Shkup

“Ne kemi politikanë, që nuk e kanë frikë popullin, ndaj dhe kemi frikë të flasim për bashkim shqiptarësh. Për momentin, mendoj se nuk mund ta realizojmë bashkimin, pasi shihet si bazë ruajtja e pushtetit dhe jo plotësimi i interesave të popullit”.

Top Channel