Miratohet gazjellësi Trans-Adriatik

20/12/2012 00:00

Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi projektin e gazsjellësit Trans-Adriatik, i cili shndërron Shqipërinë në nyje nevralgjike të shpërndarjes së gazit të Kaspikut dhe Azisë Qëndrore drejt Europës Perëndimore.

Dukë e cilësuar këtë projekt të një rëndësie kombëtare, kryeministri Sali Berisha tha se realizimi i tij do të garantojë energji për familjet në të gjithë territorin e vendit me koston më të ulët si dhe do të hapë rreth 35 mijë vende të reja punë.

”Nis e sigurt në 4-vjeçarin që vjen, gazifikimi i familjeve shqiptare në të gjithë territorin, do t’u ofrojë energji për ngrohje dhe gatim me koston më të ulët se format e tjera të energjisë . Projekti, i cili kalon rreth 200 km në territorin tonë, do të bëhen dy miliardë euro investime dhe punësohen direkt mbi 20 mijë punëtorë, inxhinjerë e teknikë, e rreth 15 mijë të tjerë indirekt”, deklaroi kryeministri.

Projekti i dytë i rëndësishëm i miratuar në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Territorit është ai i kaskadës se Devollit, që sipas kryeministrit Berisha do të transformojë në mënyrë rrënjësore sistemin hidro-energjetik në Shqipëri.

”Është një projekt i madh, me rreth 800 e më shumë milionë euro investim, në tre hidrocentrale. Ky është një projekt që transformon në mënyrë rrënjësore sistemin hidroenergjitik të vendit dhe përbën një hol cilësor drejt shndërrimit të Shqipërisë në superfuqi energjitike rajonale”, vazhdoi zoti Berisha.

Projekti “Trans-Adriatik” dhe kaskada e Devollit përbëjnë një investim prej 2.7 mld eurosh në total, çka sipas kryeministrit do të shndërrojë Shqipërinë në një vend të zhvilluar dhe opozita nuk i bllokon dot.  

”Fatlume jane këto projekte që nuk kërkojne miratimin me 3/5, se nuk do të kishim të bënim vetëm me murin e bllokimit të statusit, por edhe me murin e bllokimit te dy projekteve që do të jenë levë e Arkimedit për shndërrimin e Shqipërisë në mandatin që vjen në një vend të zhvilluar”.

Top Channel